Veteranët e Brigadës “138 Agim Ramdani”, u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër të kenë para vetës interesin e Kosovës, dhe të respektojnë vullnetin e banorëve për kundërshtimin e këtij versioni të demarkacionit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“I bëjmë apel, secilit deputet të popullit, që para së gjithash të ketë para vetës, interesin e Kosovës, të respektoni, vullnetin e banorëve në kundërshtimin të këtij demarkacioni dhe të qetësoni situatën politike në vend duke mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës’, thuhet në thirrjen e veteranëve drejtuar deputetëve të Kuvendit.
Ata thonë se duke respektuar gjakun e dëshmorëve, që sot prehen në tokën tonë, e që u rreshtuan si gur i parë kufirit të shtetit të Kosovës, u bëjnë thirrje deputetëve që të ngritën në nivelin e përgjegjësisë kushtetuese dhe me dinjitet e përgjegjësi juridike e morale ta mbrojnë shtetësinë dhe shtetin e Kosovës, vijëzuar me gjakun , mundin dhe sakrificën tonë nëpër shekuj.
“I bëjmë me dije se, ne veteranët me shumë shqetësim po i përcjellim zhvillimet e fundit, të cilat kanë manifestuar tensione dhe polarizime të skajshme. Ndaj kërkojmë që deputetët të jenë të pavarur në përcaktimin e votës së tyre kundër dhe në harmoni të plotë me detyrimet kushtetuese në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Kosovës”, thuhet në porosinë e veteranëve të Brigadës “138 Agim Ramadani”./KP