Kryeparlamentari Kadri Veseli në Akademinë përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha gjatë fjalës së tij se 15 vite më parë, bota pa me sy dhe ndjeu me zemër, një nga momentet më dramatike të historisë bashkëkohore – sulmin e pashembullt terrorist mbi kullat binjake në New York.
Ai gjithashtu tha se qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen krenarë që janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër terrorizmit.
Kryeparlamentari Veseli po ashtu tha se qytetarët dhe institucionet kosovare asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë dilema rreth partneritetit me SHBA’të.
“Zërat individual që vënë dyshime mbi këtë partneritet, e që lansojnë ide të mjera për aleanca të reja, janë zëra kundër Kosovës dhe të ardhmes së saj. Ne nuk mund t’i definojmë interesat tona nacionale strategjike duke mbyllur veshët apo injoruar qëndrimin amerikan mbi zhvillimet në vendin tonë”, tha Veseli.
Kryeparlamentari Veseli tha në ceremoni se miqësia mes Republikës së Kosovë dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet. /GazetaExpress/