Aktuale

Veseli: Ukshin Hoti në vend të posteve zgjodhi rrugën e disidencës

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, në përurimin e shtatores së Ukshin Hotit në Prizren ka thënë se ai i qëndroj deri në fund besimit të tij.

Veseli ka thënë se Ukshin Hotin u përpoqën ta joshin me poste, por nuk e bën dot ideolog të sistemit. E burgosën, por nuk ia thyen dot përcaktimin intelektual e kombëtar.

“Ukshin Hoti ndoqi rrugën e Hasan Prishtinës. Ashtu si Hasan Prishtina, ai në vend të posteve zgjodhi rrugën e disidencës”, ka thënë Veseli.

Kreu i Kuvendit ka treguar se në vitin 1983, kur Amensty International e kishte shpallur Ukshin Hotin të burgosur të ndërgjegjes, emri i tij i ishte bashkuar listës së gjatë të disidentëve që po luftonin për liritë njerëzore gjithandej botës komuniste. Në këtë mënyrë, sipas Veselit, zëri i Kosovës së shtypur po fillonte të dëgjohej në qendrat vendimmarrëse të botës perëndimore.

“Në vitet ‘90 kur lëvizja jonë kombëtare po përgatiste formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, regjimi përsëri e burgosi Ukshin Hotin. E izoluan, sepse e dinin shumë mirë se filozofi i çështjes shqiptare do të bëhej zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, përsëri dështuan. Dështuan sepse tanimë Ukshin Hoti ishte kthyer në ikonë të lëvizjes sonë kombëtare”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se Kosova sot është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, por plagët e luftës ende nuk na janë shëruar.

Ai ka thënë se janë më mijëra qytetarë të pagjetur Kosovës, për fatin e të cilëve ende shteti serb nuk jep përgjigje se ku janë dhe në mesin e tyre është edhe profesori Ukshin Hoti.

“Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa të dihet fati i tyre dhe të vendoset drejtësia për ta dhe për Ukshin Hotin”, ka thënë Veseli.

Kreu i Kuvendit ka thënë se duhet të punojmë shumë që t’iu krijojmë perspektivë të sigurt të rinjve tanë dhe ta bëjmë të begatshme Republikën e Kosovës.