Aktuale

Veseli: Do t’i shporim mbeturinat e Serbisë nga Kosova

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha në vendlindjen e tij në Mitrovicë se ky qytet do t’ia jep vulën fitores së PDK-së dhe Fillimit të Ri, pasi tek qytetarët po sheh një entuziazëm të shpresës.

Veseli tha se në nëntor do ta qojnë, siç e quajti ai kryetarin e Mitrovicës, akademikun për të dhënë mësim, sepse do të fitojnë edhe në nivel lokal në Mitrovicë.

Lideri i PDK-së shtoi se Mitrovicë dhe Kosova kanë nevojë për platformën e Fillimit të Ri dhe se Mitrovica do të jetë krenaria industriale e Kosovës.

“Kosova dhe Mitrovica kanë nevojë për Fillimin e Ri, Kosova dhe Mitrovica ka nevojë për zhvillim ekonomik. Ky shtet të cilin e kemi bërë me shumë sakrifica, do ta mbajmë, nuk do të lejojmë që askush të cenoj sovranitetin territorial, do të fuqizojmë simbolet tona kombëtare, flamurin tonë kombëtar dhe flamurin e shtetit të Kosovës, Republikës sonë. Fillimi i Ri është fuqizim ekonomik, është fuqizim i ndërmarrësisë, është fuqizim i gjithë atyre njerëzve që e duan Kosovën dhe punojnë për Kosovën që ta kemi një shtet me të pasur, me të zhvilluar ekonomikisht që duam dhe duam të jetojmë në të me familjet tona”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së premtoi edhe heqjen e strukturave paralele nga Kosova, e ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri të Mitrovicës.

“Do të fuqizojmë Mitrovicën që ta shohim kah lind dielli dhe kah perëndon që të jetë një Mitrovicë e bashkuar, jo jug e veri. Fillimi i Ri nënkupton se nuk ka mure në Kosovë, nuk ka trena të Serbisë në Kosovë, ka marrë fund Serbia më 12 qershor, kurrë më nuk do të kthehet. Ne jemi qytet i njerëzve tolerant, që i respekton njeri tjetrit, ne do të respektojmë edhe ata që nuk janë si ne, edhe komunitetet, edhe atë serb dhe të gjitha komunitetet që të jenë të barabartë para ligjit të respektojnë sovranitetin e shtetit, por kemi mesazh, qysh e kemi larguar më 12 qershor, do t’i shporim mbeturinat e Serbisë në Kosovë, strukturat paralele, nuk do t’i lejojmë që të rrezikohen bashkëqytetarët tanë. Qytetarët do të vazhdojnë qëndrimin në pronat e tyre, në të njëjtën kohë do të vazhdoj ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore, ashtu siç i kanë pasur qytetarët tanë, shqiptarët”, u shpreh Veseli.

Veseli iu premtojë përkrahje edhe artdashësve, derisa do të punojë fort për fuqizimin e sportit në Mitrovicë, sepse nuk ka më sportdashës se sa mitrovicasit./kp