Aktuale

Veseli: S’ka veri e jug, duhet të ketë vetëm Mitrovicë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë tubimit elektoral të mbajtur të mërkurën në Zhabar të Mitrovicës, ka thënë se Zhabari dhe Mitrovica kanë dhënë provimin atëherë kur iu është dashur vendit më së shumti, ndërsa potencoi se qyteti i Mitrovicës ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe mbështetje institucionale.

Sipas tij, përveç zhvillimit ekonomik, do të punohet akoma më shumë në integrimin e vendit në BE dhe në fuqizimin e sovranitetit të Kosovës.

“Orientimi ynë është krejtësisht një orientim që ka për qëllim me zhvilluar ekonomikisht Kosovën, me i përkrah qytetarët e vet që të jenë të barabartë para ligjit dhe në të njëjtën kohë më të përgjegjshëm dhe më implementues ndaj atdheut të tyre. Ne kur kemi mundur si komb ta largojmë Serbinë, atëherë askush nuk mund të na ndalë ta zhvillojmë këtë vend dhe ta çojmë përpara aty ku e ka vendin. Do të punojmë fuqishëm në zhvillimin e vendit tonë dhe integrimin në BE, në të njëjtën kohë Mitrovicës i nevojitet vërtet përkrahje e madhe institucionale… Në Mitrovicë nuk duhet të ketë lindje, perëndim, veri e jug, duhet të ketë vetëm Mitrovicë. Do të punojmë fuqishëm që të fuqizojmë sovranitetin tonë në mënyrë që të integrohen të gjithë qytetarët tonë. Kurrë nuk do të lejojmë që një shtet i jashtëm të përzihet në punët tona. Do t’i largojmë strukturat paralele, strukturat e së keqes ”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, tha se Zhabari dhe Mitrovica po e përqafojnë me dashuri Fillimin e Ri, pasi ky koncept mundëson progres për të rinjtë, gratë, bizneset.

“Qyteti i Mitrovicës, Zhabari, Shipoli, përqafojnë me ëndje Fillimin e Ri, sepse kanë parë se ky koncept iu siguron atyre një jetë më të mirë, duke filluar prej bizneseve, do të mundësohet që investimet e huaja të kryhen pa probleme, të rinjve dhe grave t’u jepet përparësi dhe se numri i të punësuarve të jetë shumë më i madh se sa deri tani”, tha Kastrati. /kp/