Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka siguruar se nuk do të ketë më mure në Kosovë, e as në veri të vendit. Ai ka thënë se në Mitrovicën e veriut nuk do të ketë pengesë për lëvizjen e qytetarëve me mure e as me pengesa tjera.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u vendos që të enjten të ketë seancë plenare me 23 pika të rendit të ditës, kreu i legjislativit theksoi se veprimet e fundit të strukturave paralele që kanë tentuar ta cenojnë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, kanë shqetësuar qytetarët e vendit.
Por, ai ka siguruar ata se më nuk do të ketë mure e as nuk do të ketë pengim të lëvizjes së lirë.
“Muri më nuk do të ketë në Kosovë, jeni edhe dëshmitar se ai është rrënuar përfundimisht. Tani do të ketë një projekt të ri, i cili do të jetë në përputhje me institucionet e Kosovës, me lëvizjen e lirë të qytetarëve në të cilën do të ketë hapësira të gjelbëruara, në të cilin do të ketë kalime që do të jetë në nivelin zero, keni parasysh në nivelin zero, edhe për qytetarët, në të njëjtën kohë edhe për makinat e emergjencës siç janë në sheshin ‘Nënë Tereza’. Në të dyja anët e sheshit do të ketë lëvizje, në njërën pjesë është rreth nëntë metra, për aq sa ka qenë përafërsisht rruga kryesore, të gjithë ata që janë mitrovicali e dinë. Le të jenë të sigurt, mos të bien pre e asnjë provokimi apo abuzimi që është politik”, ka thënë Veseli.
Kreu i Kuvendit ka ftuar bashkëqytetarët e tij të Mitrovicës që të jenë të sigurt në atë çfarë po bëjnë, duke e quajtur në interesin e Mitrovicës, sipas të cilit do të jetë një Mitrovicë e bashkuar dhe se nuk do të ketë jug dhe veri.
Derisa, Veseli ftoi kolegët e tij opozitarë që të kthehen në Kosovë, sepse siç tha ai “nuk do të ketë luftë”.
“Mos lejoni manipulime nga njerëz që shohin veç zi, të cilët më shumë se karrigen nuk kanë asgjë. Cdo çmim e paguajnë vetëm të jenë në pushtet, në mënyrë me manipulu, me shajtë, me fy, nuk ia duan të mirën Kosovës. Edhe le të kthehen në Kosovë, mos të frikohen se disa kanë ikur kanë menduar që bëhet luftë, këtu duhet me qëndru edhe kur është keq, edhe kur është mirë”, tha Veseli.
Rrëzimin e murit e ka përshëndetur edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke e quajtur vendim të mirë rrënimin nga vet ata që e kanë ndërtuar.
Beqiri: Është mirë që muri u rrëzua nga ata që e ndërtuan
(Video)
“E mira është që e kanë rrënuar ata që e kanë ndërtuar si autoritet e lokale, dhe është po ashtu e mira e kësaj që ka kaluar pa tensione dhe ky është rasti i dytë pas atij që e kishim, më herët si problem, si shqetësim, treni, ti them famëkeq, që nuk hyri në territorin Kosovës”, ka thënë Beqiri.
Por, opozita po e sheh si cirk rrëzimin e murit në veri. Kjo, meqë sipas Driton Çaushit të Vetëvendosjes, një mur tjetër pak metra larg atij që u rrëzua do të fillojë të ndërtohet nesër.
“Me duhet të them se ajo që po ndodh në ditët e fundit është vetëm një manipulim i opinionit publik për shkak se po zhvillohet një cirk lidhur me murin i cili rrëzohet dhe ringritet me pretendimin se Kosova po kthen sovranitetin dhe kontrollin mbi veriun e vendit. Ju besoj e keni dëgjuar kryetarin e Kuvendit që ka deklaruar se muret i takojnë së kaluarës, megjithatë të gjithë e dimë se nesër do të filloj ndërtimi i një muri të ri”, theksoi Çaushi.
Në rend dite për diskutim të enjten është futur edhe kërkesa e deputetit të AAK-së Daur Haradinaj për të diskutuar rreth FSK-së dhe transformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj tha se kërkesa është për të debatuar rreth të ardhmes së FSK-së.
“Ne menduam që në këtë drejtim, koalicioni dhe të gjithë deputetët ta thonë vetëm për perspektiven sepse ka mjaft debate në këtë drejtim dhe deri më tani nuk jemi deklaruar apo nuk e kemi thënë atë që duhet të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës, apo të bëjmë një ligj që i zgjeron fushëveprimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës e që nuk duhen dy të tretat e Kuvendit, por aty do të dalin konkluzionet në debat”, tha Lekaj.
Por, për këtë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se është çështje kohe se kur do të ndodh formimi i ushtrisë së Kosovës.
“Ushtria e Kosovës është një realitet i cili do të ndodh shumë shpejt. Ajo çfarë dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës, nuk është e rëndësishme vetëm vendimmarrja e Kuvendit për ta transformuar FSK-në në ushtri të Kosovës, sa është e rëndësishme këtë proces ditën që të marrim vendim të kemi një vërshim investiv në Forcat e Armatosura të Kosovës. Të ketë atë armatim që i duhet dhe këtë mund ta kemi vetëm me partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare”, u shpreh Veseli.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri ka theksuar se nuk ka deputet që nuk është pro formimit të ushtrisë, por se duhet parë mundësinë se si kjo të arrihet.
“Normalisht që nuk gjen deputetë besoj të shumicës në Republikën e Kosovës që nuk dëshiron që sa më shpejt FSK-ja të shndërrohet ë ushtri dhe këtu nuk duhet të ketë garë, njëfarë patriotizmi se kush është për tu bërë apo se si të shtohen kapacitet formati e të gjitha tjerat FSK-së. Por duhet pa mundësinë se si kjo të bëhet”, theksoi Beqiri.
Megjithatë sipas tij, pa ndihmën e NATO-s, SHBA-së dhe BE-së, Kosova nuk mund ta ketë një ushtri çfarë dëshirojnë./KP





















