Aktuale

Veseli: Seanca mbahet nesër, do t’u hiqen mëditjet deputetëve që munguan

Ka dështuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për mbajtjen e saj.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, pasi ka përshëndetur përfaqësuesit e shoqatave të luftës së UÇK-së, theksoi se pozita nuk ka mundësi me rritë kuorumin për mbajtjen  seancës. Veseli për ata deputet që munguan sonte kërkojë heqjen e mëditjeve për ditën e sotme që sipas tij, është penalltia e dytë për këtë muaj.

 

“Të nderuar kolegë deputetë, nëse nuk arrimë t’i kemi 61 deputet brenda dhjetë minutave, do ta bartim seancën për ditën e nesërme. Ka propozim konkret nga kolegë deputetë mëditjet e ditës së sotme të largohen, nëse nuk arrihet të mblidhen 60 deputetë sot. Është penalltia e dytë në këtë muaj për t’ju larguar mëditjet. I përshëndes përfaqësuesit e shoqatave ta dala nga lufta, të cilët janë duke e përcjellë këtë seancë, më vjen keq siç po e shohin edhe ata, nuk ka gatishmëri të kolegëve të kthehen në sallë nga opozita, derisa pozita nuk ka mundësi të arrijë kuorumin. S’po mundim zonja Kadrijaj t’i bëjmë sonte 86 do ta lëmë nesër. Atëherë seanca shtyhet për në orën 10:00 ditën e nesërme”, theksoi Veseli.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj sot kishte miratuar Projektligjin për veteranët me shtimin e nenit 6, i cili parasheh përshkallëzimin e pensioneve, prej 250 euro, 170 dhe 120 euro. Po ashtu për nenin 6 thuhet se në rast se buxheti nuk është i mjaftueshëm për mbulimin e pensioneve prej 120 eurove, kategoria e tretë do t’i nënshtrohet vlerësimit në përputhje me buxhetin e paraparë./KP