Ekonomi

Veseli: Prodhuesit vendorë dhe investitorët janë heronj të ditëve tona

Në Prizren sot është hapur Panairi Ndërkombëtar i Forumit të Biznesit, ku po marrin pjesë 132 kompani vendore dhe ndërkombëtare, nga vendet e rajonit dhe Turqia.

Në hapje të Panairit ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili para të pranishmëve theksoi rëndësinë e prodhimit vendor, investimeve dhe partneritetit me kompanitë e huaja.

Ai i quajti heronj investitorët, për të cilët tha se Kosova ofron të gjitha kushtet, meqë është vend i sigurt dhe ka rini kreative.

 

“Kosovës i duhet veçanërisht kjo natyrë, këto njerëz, të gjithë prodhuesit vendor që i kemi në Republikën e Kosovës dhe investitorët të cilët investojnë janë heronj të vërtetë të Kosovës, për arsye se ata me punën e vetë, me sakrificën e vetë janë duke bërë më të rëndësishmen për Kosovën, për zhvillimin ekonomik, punësimin e njerëzve, duke treguar tregimin se perspektiva e Kosovës dhe qytetarëve të vetë është e sigurt dhe ajo duhet të ndërtohet dhe do të ndërtohet në Republikën e Kosovës. Me tokën e njerëzve, në të njëjtën kohë për t’ju krijuar mundësi investitorëve anekënd botës që të vinë në Kosovë, se Kosova është një vend në të cilën funksionon shteti ligjor dhe vend evropian me aspirate të qarta euroatlantike ku ata mund të investojnë”, tha Veseli.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, përmendi gjendjen e mjerueshme në të cilën ka qenë ekonomia në vend, që pas përfundimit të luftës së vitit 1999.

Sipas tij, organizime të tilla joshin bizneset e ndryshme, që të vijnë dhe investojnë në Kosovë.

 

“Ekonomia e Kosovës ishte në gjendje të mjerueshme me probleme të shumta sociale, në gjendje  kolapsi, me arsim dhe shëndetësi të rrënuar, me nivel të papunësisë alarmant. Gjendja e rrënuar e ekonomisë pas luftës ndikoi edhe në rënien e besimit të qytetarëve për ndërtim të shtetit dhe ndërtim të institucioneve. Këta fajtorë kanë ndikuar që ekonomia e Kosovës të jetë në nivel jo shumë të zhvilluar, e sot është trashëgimia e një ekonomie të shkatërruar gjatës luftës së 99-tës. Kuvendi i Komunës së Prizrenit e ka gjetur rrugën më të shkurtër për realizimin e fillimit të ndarjes së parcelave për investitorë vendor dhe të huaj ngase ministritë dhe agjensionet e ndryshme na kanë penguar të kompletojmë 64 konkurrente, sa na janë nevojitur për licencimin e zonës industriale. Puna e arritur deri më tani në përgatitjen e këtij parku është përfundimtare, rregullimin e infrastrukturës së tërësishm e dhe joshjen e bizneseve sa më të mëdha për të arritur numrin më të madh…”, tha Muja.

Ndryshe, Panairi Ndërkombëtar i Forumit të Biznesit po mbahet në Prizren, për të tretën herë radhazi./KP