Aktuale

Veseli premton zgjidhje për mjekët specialistë që nuk janë në punë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës sot ka takuar mjekët, specialistë që protestuan para ndërtesës së Kuvendit.

Ai u tha specialistëve protestues të mjekësisë se do të gjendet rruga e duhur dhe në mënyrën më të mirë ligjore për të plotësuar kërkesat e tyre dhe se do të përkushtohen që të mos mbetet asnjë specialist i papunë.

Dhjetëra mjekë specialistë të profileve të ndryshme protestuan si kundërshtim ndaj anulimit të konkursit me vendim të Inspektoratit të Punës.

Specialistët për vite me radhë nuk po mund të gjejnë vende pune andaj kjo dhe çështje të tjera të ngjashme ishin temë e diskutimit sot.

 

“Mua po më vjen  shumë rëndë fakti se ka pothuajse një vit që po merremi me të njëjtat çështje dhe veç po sillemi në një rreth  burokratik. Kjo është shumë e rëndë deri sa në të njëjtën kohë po ballafaqohemi me vështirësi, me një sistem të ngecur shëndetësor i cili po na frikëson të gjithëve dhe po  i bën fajtor njerëzit që më së paku duhet të jenë fajtorë, mjekët”, tha Veseli pas takimit me mjekët protestues.

Përfaqësuesi i protestuesve Arben Ahmeti  shpreson që  kryetari i Kuvendit do t’ i ndihmojë ata në çështjen që po i preokupon.

 

“Unë desha me iu falënderu që edhe gjatë kohës së mëhershme kur është aprovuar buxheti për ne, ne kemi konsideratë jashtëzakonisht të madhe për ju dhe jemi drejtuar tek ju si institucion pasi që kemi shpresë se keni me na ndihmu”, tha Ahmeti.

Edhe mundësia për të punuar me kontrata të përkohshme pune për specialistët mjekësor nuk po shihet si një alternativë e mirë pasi që ata theksuan se nga eksperiencat e mëparshme të punës me kontrata të tilla afatshkurtra nuk kanë arritur asnjëherë të fitojnë një kontratë të përhershme pune.

Ata treguan se kanë ushtruar detyrën e tyre me kontrata prej 6 muajsh  ndërkaq  u tha se nuk janë paguar ende për tre muajt  e fundit që përfshijnë periudhën  prej 15 dhjetorit të vitit 2016 deri më 15 prill të këtij viti.

Për specialistët po konsiderohet shumë e gabuar mbyllja e konkursit për punësim.

Bedri Osmani, tha se deri në qershor të këtij viti pritet që listës së specialistëve t’iu shtohen edhe 200 emra të tjerë dhe kjo sipas tij mund të jetë një grackë për faktin se mund të lindin konflikte mes gjeneratave të specialistëve.

Prandaj, për të shmangur një gjë të tillë, Osmani kërkoi që konkursi të procedohet sipas ligjit dhe të punësohen specialistët e tanishëm në mënyrë që në të ardhmen e afërt të ketë vend edhe për specialistët e rinj.

 

“Ne nuk kemi faj se e kemi kry para tri vitesh dhe ata nuk kanë faj se e kryejnë pas dy muajsh. Thjeshtë, ky konkurs le të procedohet si konkurs i rregullt, le të punësohen këta njerëz dhe me mundësi rishikimi të buxhetit ose vitin e ardhëm të procedohet për njerëz të tjerë”, u shpreh ai.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se nesër do të thërras në takim ministrin e Shëndetësisë, përfaqësues të Inspektoratit të Punës dhe tre përfaqësues të specialistëve të papunë në mënyrë që të gjejnë zgjidhjen për këtë çështje./KP