Aktuale

Veseli premton rritje pagash dhe shumëfishim të prodhimit

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli ka ftuar qytetarët e Suharekë ta mbështesin Partinë Demokratike të Kosovës, sepse sot Therandës dhe Kosovës i duhet një Fillim i Ri, i cili e fuqizon qytetarin, ndërmarrësin, rininë, gruan dhe u del në ndihmë pensionistëve, personave me aftësi të kufizuara e kategorive të dala nga lufta.

Veseli para qindra simpatizantëve të PDK-së në fushatën elektorale në Therandë, shtoi se me Fillimin e Ri do të ketë rritje të pagave për sektorin publik.

Kreu i PDK-së shtoi se duhet të punojnë shumë që Serbia as të mos ëndërrojë kthimin në Kosovë.

“Një Fillim i Ri që fuqizon qytetarin tonë, që fuqizon ndërmarrësin, që fuqizon fermerin, që fuqizon rininë, që fuqizon gruan, që fuqizon dhe mbron kategoritë e dala nga lufta, ata që kanë nevojë për përkrahjen e shtetit, personat me aftësi të kufizuara dhe pensionistët, ky është Fillimi i Ri. Me Fillimin e Ri do të shumëfishohet prodhimi, do të pesëfishohen eksportet, do të dyfishohet numri i të punësuarve në sektorin e prodhimit, do të kemi rritje të pagave, për profesorët, policët, ushtarët, pensionistët”, tha Veseli.

Kreu i partisë më të madhe në vend, u shpreh se me Kosovën duhet të udhëheq vetëm ai qëllim dhe mision që nuk e ndanë Kosovën, por që mbanë të bashkuar fuqishëm në misionin kombëtar.

“Kush mund ta udhëheq Kosovën tonë të re, mund ta udhëheq vetëm ai shpirt, ai mision, ai qëllim i cili nuk e ndanë Kosovën mes vete, nuk i ndanë qytetarët e Kosovës mes vete, i mbanë të bashkuar fuqishëm, i mbanë në misionin e qëllimit tonë të shenjt kombëtar si shqiptarë, në të njëjtën kohë i mbanë të fuqishëm misioni i shtetit tonë të pavarur dhe sovran, ky është fillimi i ri, kjo është PDK”, theksoi ai.

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj para bashkëqytetarëve të tij tha se ky takim tregon se PDK në Therandë është forca më e madhe politike, që është forca e vetme e ndryshimit që ka ky vend, ndërsa me liderin Kadri Veseli, Kosova do ta ketë një Fillim të ri.

“E dini kemi qëndruar në këtë sallë më 2007-tën me premtimin se nëse PDK vjen në pushtet atë transitin që duhej t’i largonte kamionët prej Therandës të cilët çdo ditë i lëshonin frerët e kamionëve diku në Duhel dhe një viktimë ishte në Suharekë, atë transitin që të tjerët se ndërtuan për dhjetë vite, atë transit ne e kemi shndërruar në autostradë që lidh Prishtinën me Tiranën. Dhe ky është dallimi, të tjerët s’mund të ndërtojnë dy kilometra transit ne ndërtojmë 200 kilometra autostradë. Ne kemi qëndruar këtu para dhjetë viteve me një premtim se nëse PDK vjen në pushtet do t’i rrisim pagat e mësimdhënësve. Nëse PDK vjen në pushtet, do t’i rrisim pagat e policëve, do t’i rrisim pagat në administratën e shtetit, nëse PDK vjen në pushtet do t’i sigurojmë tekstet shkollore falas, është një listë e gjatë e sukseseve tona, besoni PDK-së sepse është parti e besimit”, tha Hoxhaj.

Kosova, sipas Hoxhajt do të duket ndryshe falë një shprese, një optimizmi që ka vetëm një emër, e ai është Kadri Veseli. /KP