Aktuale

Veseli premton në Kamenicë rritje pagash për mjekët dhe investime në bujqësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli të premten ka kërkuar nga qytetarët e Kamenicës që më 11 qershor t’i japin mbështetje koalicionit dhe platformës Fillimi i Ri.

Në fushatën zgjedhore, kreu i PDK-së tha se kjo platformë fokusin kryesor e ka për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Veseli para qindra simpatizantëve dhe anëtarëve të PDK-së dhe partive tjera të koalicionit, tha se Kosovës sot i duhet me shumë se kurrë zhvillimi ekonomik.

“Orientimi kah zhvillimi ekonomik, për arsye se kjo është pjesa që i duhet Kosovës sonë, kjo është pjesë për të cilën ka nevojë bashkëqytetarët tanë, veçanërisht rinia. Orientimi nga ndërmarrësia, nga bizneset që ato të fuqizohen edhe më tej, të zhvillohen edhe më tej, që të kenë veprimtari prodhuese, që ato të punësojnë djem e vajza tona të reja është orientimi ynë parësor, ky do të jetë edhe orientim pas 11 qershorit me Fillimin e Ri. Përkrahja e bizneseve, aktualisht në Kosovë kemi 60 mijë biznese në qoftë se vetëm ju japim një përkrahje që këto biznese të zgjerojnë veprimtarinë e tyre në të njëjtën kohë do të kemi 60 mijë vende të lira të punës. Kjo është ajo çfarë do të bëjmë pas 11 qershorit”, tha Veseli.

Zhvillimin e bujqësisë, i pari i PDK-së e quaji motor të zhvillimit, derisa ftoi qytetarët e Kamenicës që të orientohen kah bujqësia, pasi do të përfitojnë pas 11 qershorit me fitoren e koalicionit të madh.

 

“Thërras gjithë kamenicasit që të shfrytëzojnë këtë mundësi që pas 11 qershorit të orientohen kah zhvillimi i bujqësisë. Fermerët do të përkrahen. Në vitin 2007 kur PDK ka marrë pushtetin, buxheti ka qenë afër 5 milionë. A e dini sa është sot, sot është 58 milionë, por pas 11 qershorit do të dyfishojmë buxhetin e Kosovës të orientuar në bujqësi”, tha Veseli.

Ai ritheksoi ndihmën dhe prioritetin që do ta ketë për sektorin shëndetësor, duke thënë se do të bëjnë sektorin publik të jetë konkurrent me atë privat.

 

“Nuk duhet dhe nuk do të lejojnë më që 200 milionë të shkojnë te mjekët e huaj, le të mbesin ato 200 milionë në Kosovë. Kjo është ajo çfarë do të bëjmë, do të rrisim pagat e mjekëve, do të përmirësojmë kushtet e tyre shëndetësore, do të forcojmë sektorin publik që të jetë konkurrent me sektorin privat dhe në të njëjtën kohë do të liberalizojmë shërbimet shëndetësore”, u shpreh kreu i PDK-së.

Veseli potencoi rëndësinë e avancimit të gruas dhe të rinjve në shoqëri, pasi shteti nuk mund të ecë përpara pa fuqizimin e grave dhe të rinjve, ndërsa i ka ftuar gratë që të merren me ndërmarrësi. /kp