Aktuale

Veseli: Nuk do të lejojmë mure të ndarjes as cenim të sovranitetit

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues, nga ku kreu i saj Kadri Veseli dërgoj mesazhe për opozitën se nuk mbrohet shteti duke penguar përcaktimin e kufijve, duke mos njohur simbolet dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Në adresimin e tij para anëtarëve të Këshillit Drejtues  Veseli tha se imponimi i frymës së konfliktit politik, ikja nga domosdoshmëria e konsensusit për interesat vitale të shtetit, kanë pasur vetëm pasoja negative për vendin dhe qytetarët.

Sipas tij, me debate dhe agjenda shterpe, të motivuara nga interesa meskine politike, janë lënë anash qytetarët dhe shqetësimet e tyre reale që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve të tyre.

 

“Fatkeqësisht, disa nga forcat politike opozitare kanë zgjedhur rrugën e gabuar në bërjen e opozitarizimit, duke tentuar të bllokojnë proceset politike të shtetit për përfitime politike. Situata politike shpeshherë, në realitetin tonë politik aktual po bëhet e komplikuar, brenda cinizmit të kësaj tentative, duke u thirrur edhe në mbrojtjen e shtetit apo sovranitetit të tij. Kjo është jo vetëm e papranueshme, si sjellje dhe mentalitet, por është e dëmshme pikërisht për shtetin dhe kombin tonë.  Shteti nuk mbrohet duke penguar proceset e tij të shtetformimit. Sovraniteti i shtetit nuk mbrohet duke penguar procesin e përcaktimit të kufijve ndërkombëtar të tij. Shteti nuk respektohet duke përçmuar simbolet dhe kushtetutën e tij”, tha Veseli.

Sipas kreut të PDK-së, as nuk liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës me sjellje të tilla politike dhe është cinizëm të mendohet të krijohet ushtria e Kosovës duke humbur besimin e partnerëve ndërkombëtarë si  NATO-ja, SHBA-të  dhe vendet  tjera perëndimore me qëndrime dhe imponime politike vetëm për konsum elektoral.

Veseli shtoi se PDK-ja ka shmangur më të keqën, dhunën, në favor në rrugës së arsyes.

Ai deklaroi se kanë ruajtur institucionet, rendin demokratik, partneritetin dhe obligimet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, në radhë të parë ato që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asoocim.

Por, është shprehur se nuk do të lejojnë që mbi shtetin e Kosovës të vihen pikëpyetje ekzistenciale nga askush, as nga ata që nisin trena të urrejtjes. Veseli tha se nuk do të tolerojnë hyrje të paligjshme në territorin e Kosovës.

 

“Nuk do të lejojmë që mbi shtetin e Kosovës të vendosen pikëpyetje ekzistenciale dhe gjeopolitike. Në asnjë rrethanë dhe nga askush. As nga ata që nisin trena të urrejtjeve të vjetra apo ndërtojnë mure të ndarjes. Unë kam pasur qëndrim të qartë ndaj provokimeve të Serbisë dhe kam qenë i vendosur në hapat e ndërmarr, si në ndalimin e trenit të paligjshëm, ashtu dhe rrënimin e murit në veri të Ibrit në Mitrovicë. Nuk do të tolerojmë hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës. As mure të ndarjes në Mitrovicë apo gjetiu”, tha Veseli.

Sipas tij, shembja e murit në Mitrovicë është fitore e ligjit, fitore e Kosovës, fitore e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve pa dallim. Sipas Veselit, jeta me mure është e zymtë, derisa është shprehur i bindur se kjo nuk është dëshirë dhe vullnet i qytetarëve serbë të veriut të Kosovës.

Kreu i PDK-së, nuk la pa përmendur as luftën e UÇK-së, për të cilën tha se e  kanë  udhëhequr luftën çlirimtare, ndërsa si forcë kryesore politike në vend kanë qenë pjesë e rindërtimit të vendit, shpalljes së pavarësisë dhe shtetformimit.

 

“Sot obligimet tona janë po aq të mëdha. Jemi ende në gjysmë të rrugës si shoqëri dhe si shtet. Duhet ta përfundojmë shtetndërtimin, të nxisim zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, krijimin e perspektivës për të rinjtë tanë dhe të përshpejtojmë në rrugën e integrimeve euroatlantike. Këto synime janë kriteret e patriotizmit të ri që duhet të zë vend në mendjet dhe zemrat tona. Ky është vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi ai.

Veseli kërkoi nga anëtarësia angazhim maksimal pasi shumë shpejt do të mbajnë një konventë të PDK-së, derisa këtë vit mbahen zgjedhjet lokale, për të cilat tha se duhet të fitoj PDK-ja, pasi është e vetmja forcë politike garancë për qytetarët.

 

“Kemi hyrë në vit elektoral dhe koha është që të përgatitemi për fitoren e radhës së Partisë Demokratike të Kosovës. Ne gjithmonë i kemi merituar fitoret dhe fitoret tona janë kthyer gjithmonë në garancë për ecjen përpara të shtetit të Kosovës”, u shpreh kreu i PDK-së.

Konventa e PDK-së, pritet të mbahet në fund të muajit mars të këtij viti. /KP