Kryetari i PDK-së Kadri Veseli së bashku me anëtaren më të re të kësaj partie Arbana Xharra, kanë vizituar kopshtin e fëmijëve “Mollëkuqja” në Ulpianë. Por deklaratat politike, nuk munguan as gjatë vizitës në kopsht.
Ai para punonjësve të këtij kopshti foli dhe për gjendjen aktuale politike, pas rrëzimit të Qeverisë, për të cilën tha se i ka munguar vizioni dhe guximi për vendimmarrje.
Veseli pohoi se Kosovës i duhet një fillim i ri, i cili është në të mirën e qytetarëve dhe fëmijëve. Ndërsa shoti se pa fuqizimin e grave, të rinjve dhe bizneseve, nuk mund të ketë ndryshim të fuqishëm ekonomik në Kosovë.
“Që nga dita e djeshme kemi një situatë të re politike në Republikën e Kosovës, në të cilën Kosova merr një rrugëtim të ri, për vet faktin që ne kemi vendosur, në rrethana të tilla kam menduar që më e mira që mund të bëjë është të mos mendoj vetëm për vete. Por të mendojmë për të gjithë ata qytetar, të cilët po jetojnë së bashku me ne. Duke parë se është gjithë ajo dëshirë e tyre për ndryshim dhe qëllimin e tyre për një jetë më të mirë. Dhe duke pasur parasysh se lidershipin të cilën e kemi me qeverisjen e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, nuk e intensifikonte përpjekjen e vendimmarrjes, pikërisht në ato qëllime të cilat ishin dhe të qytetarëve tanë si dhe ishin dhe qëllime të mia. E pamë të arsyeshme, që vullnetin e qytetarëve ta dëgjojmë dhe njëherë dhe mandatin tonë ta kthejmë drejtpërdrejtë tek bashkëqytetari ynë… A mund ta qeverisë Kosovë n dikush që nuk e ka guximin e vendimmarrjes, nuk e ka pastaj edhe vizionin, se nga duhet të ec Kosova jonë “, tha ai.
Veseli foli dhe për rëndësinë e edukimit të fëmijëve, duke filluar që në moshat parashkollore dhe se premtoi mbështetje institucionale. Ndërsa tha se institucioni parashkollor, duhet të futet në mënyrë obligative, që nga mosha tre vjeçare.
“Kemi nevoje që të kemi fëmijë, rini e cila është e gatshme të ballafaqohet me çdo sfidë, konkurrencën aktuale, të cilën e kemi. Fëmijët tanë janë të mençur dhe kanë mundësi të kenë sukses të jashtëzakonshëm. Kjo është ajo çfarë duhet të përkushtohemi drejt fuqizimit të grave. Se roli i grave është i jashtëzakonshme në shoqëri, nga edukimi parashkollor dhe në të njëjtën kohë ju jeni dhe ndërmarrëse. Ajo çfarë sot duhet më shumë është përkrahja institucionale. Po e shoh edhe këtu se është një përkrahje e munguar, që duhet të jetë një koncept i ri i përkrahjes së ndërmarrësisë dhe këtë do ta keni”, tha ai.
Anëtarja më e re në PDK, ish-gazetarja Arbana Xharra tha se duhet të përfundojë koha e retorikave dhe se duhet guxim për marrje të vendimeve për ndryshim.
“Duhet me përfundua koha e retorikave. Duhet me pas guxim me marrë vendime. Duhet me pas guxim me bë ndryshim. Ose duhet me iu bashkëngjit njerëzve nëpër autobusë, me ik prej Kosovës. Është një kohë që e kam ndi, një frymë e re që ne duhet me nis me ba diçka”, tha ajo.
Ndërsa duke folur për kopshtet, Xharra iu tha edukatorëve në kopsht se duhet të merren me seriozisht me fëmijët.
“Duhet të merreni me seriozisht me këto grupe. Sidomos me moshat para se të fillojnë mësimet nëpër shkolla. Faza e kopshteve. E thash është preokupim i secilit prind dhe pa qenë prind nuk e di këtë ndjesi”, tha ajo.
Ndërkaq drejtoresha e kopshtit “Mollëkuqja” Shkurte Metaj- Hasani, e cila foli për sfidat me të cilat ata përballen si qiraja për objekt, tha se çdo ndihmë institucionale do të ishte e mirëseardhur.
Kemi filluar me mjete vetanake, pa ndihmën e askujt. Mirëpo pasi që kemi filluar kemi hasur në disa vështirësi. Kemi sakrifikuar dhe jemi munduar me qëllimin e vetëm, që fëmijëve tanë të iu ofrojmë kushte sa më kualitative. Do të ishte më se e nevojshme dhe e mirëseardhur nga institucionet gjegjëse, të na ofrojnë në të ardhmen ndonjë benificion ose ndihmë“, tha ajo./KP