Aktuale

Veseli: Ligji për Trepçën ka konotacion ekonomik, jo politik

Ligji për Trepçën nuk ka asnjë konotacion politik. Përkundrazi ligji do të ketë konotacion ekonomik.

Me këtë ligj hapet rruga e zhvillimit ekonomik të vendit , madje përmes këtij ligji Trepça do të ketë ndikim edhe tek bilanci tregtar, i cili tash e sa kohë është  negativ. Kështu tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas nënshkrimit të ligjit për Trepçën.

Ky ligj  është votuar javën  kaluar në Parlamentin e  Kosovës. Në ceremoninë e nënshkrimit të ligjit nga kryeparlamentari, të pranishëm ishin edhe drejtori i i Trepçës dhe punonjësit e kësaj ndërmarrje.

 

“Ligji i Trepçës nuk ka asnjë konotacion politik , përkundrazi ka konotacion tërësisht ekonomik. Që i hap perspektivë Trepçës për t’u transformuar në  shoqëri aksionare, e  cila do t’iu nënshtrohet veprimeve në ekonominë e lirë të tregut, në të cilën duke iu falënderuar këtyre minatorëve edhe është mbajtur deri tani. Ligji i përfshinë edhe minatorët si bashkëpjesëmarrës të këtij transformimi shumë të suksesshëm, në të njëjtën kohë do ta rrisë prodhimin në  Republikën e Kosovës. Do ta përmirësojë bilancin tregtar,  i cili është negativ veçanërisht në  fushën e eksporteve. Perspektiva përmes këtij ligji i ofrohet Trepçës që ta shtojë vlerën e prodhimit të vetë nga një produkt bazë minerarë në një produkt i cili do të jetë i avancuar ”,tha Veseli.

Kryetari i Sindikatës së Minierës së Trepçës, ka falënderuar të gjithë përfaqësueset e institucioneve të vendit të cilët me hartimin e këtij ligji kanë hapë një perspektiv të re për minatorët dhe për popullin e Kosovës.

 

“E falënderoj kryetarin e parlamentit së pari dhe të gjitha institucionet që na kanë hapur rrugën . Është një perspektiv për të gjithë minatorët dhe për gjithë popullin e Kosovës . Shpresojmë dhe mendojmë se na u është hapur rruga për një zhvillim më të mirë ekonomik. E falënderoj edhe Qeverinë dhe të gjitha grupet parlamentare që kanë dhënë kontribut të posaçëm rreth këtij ligji , që jemi duke e pritur që 16 vite. Më në fund është realizuar dëshira dhe kërkesa jon për 16 vite. ..Besoj dhe mendoj që është hapë një rrugë dhe një perspektivë për gjigantin Trepça dhe për gjithë Kosovën”, tha Sadiku.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Trepçës, Ahmet Tmava është shprehur falënderues ndaj kryeparlamentarit dhe Qeverisë për miratimin e Ligjit për Trepçën.

Duke falënderuar institucionet e vendit, Tmava  ka thënë se është me fat që është pjesë e këtij zhvillimi kaq të madh në vend./KP/