Aktuale

Veseli: Kosova s’do të jetë burim i rekrutimit të terrorizmit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se siguria rajonale nuk cenohet vetëm nga mbetjet e të së kaluarës por edhe nga kërcënimet globale, siç është terrorizmi, ku Kosova ka marrë masa të rëndësishme dhe nuk ka qenë, as nuk do të jetë burim i rekrutimit.

Ai tha se institucionet e Kosovës dhe qytetarët qëndrojnë fuqishëm në vizionin euro atlantik sepse jemi populli evropian dhe vend evropian dhe se angazhohen që të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Për ne dallimet etnike janë pasuri dhe në asnjë mënyrë rrezik për të ardhmen evropiane dhe kjo shihet në Kuvendin e Kosovës. Duke luftuar krimin e organizuar ne garantojmë lirinë. Religjionet për ne nuk janë instrumente të dhunës”, tha ai.

Sipas Veselit, Kosova është duke punuar në ngritjen e gjitha kapaciteteve dhe arritjen e standardeve të sigurisë.

“Jemi të gatshëm të marrin përgjegjësi të sfidave globale të sigurisë. Edhe transformimi i FSK-së në FAK do të jetë një shtytëse për sigurinë tonë”, tha ai./KosovaPress/