Javën e ardhshme, Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare. Të hënën do të jetë një seancë, e cila do të ketë në rend dite pika të mbetura nga seancat e kaluara, derisa të enjten do të jetë seancë e re.
Mirëpo, në asnjërën prej tyre nuk është paraparë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha pas mbledhjes së Kryesisë se në momentin që Qeveria e procedon projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, ata do ta procedojnë për në seancë.
Kreu i legjislativit, ka shtuar se janë vonuar me ratifikimin e kësaj marrëveshje sepse duhet të ecin përpara për t’i kryer një mori agjendash të mbetura, siç është procesi i integrimit euroatlantik, liberalizimi i vizave, transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës në mënyrë për t’iu siguruar qytetarëve një mirëqenie.
“Në momentin që Qeveria e Kosovës e procedon në Kuvend ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, ne do ta procedojmë pa asnjë vonesë. Edhe kështu kemi vonesa, sepse demarkacioni është i një rëndësie nacionale, strategjike, politike e qytetarëve të Kosovës, e shtetit të Kosovës. Kemi nevojë të shënojmë kufirin e shtetit me të vendet e regjionit. Në të njëjtën kohë presim edhe shënimin e kufirit me Serbinë dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia. Aq më shumë kemi nevojë për marrëdhënie të mira me fqinjët tanë që i kemi siç është Mali i Zi”, tha Veseli.
Por, i pari i Kuvendit, i cili është edhe kryetar i partisë me të madhe në pushtet, nuk ka dashur të flas nëse partnerët e koalicionit i kanë votat apo jo për ta ratifikuar demarkacionin, për të cilin duhen 80 vota të deputetëve.
“Kosova nga momenti i shpalljes shtet sovran me 17 Shkurt 2008 është duke ecur përpara në konsolidimin e saj si shtet. Ne kemi obligim të shënojmë kufijtë tanë ata të cilët i kemi. Mos të rikthehemi në tragjedinë që i ka ndodhur popullit shqiptar në të kaluarën, për arsye që mund të mbesim aty dhe nuk kemi fuqi ta ndryshojmë. Duhet të lëvizim përpara, po flas për vendim strategjik nacional. Demarkacioni duhet të kaloj sa më shpejt, sepse është interes i qytetarëve, i Kosovës, kemi interes që të gjitha vendet fqinjë të integrohen në NATO, Mali i ZI është shumë afër anëtarësimit”, tha Veseli.
Kryetari Veseli, foli edhe për mesazhet e marra nga vizita në SHBA dhe takimi me presidentin Donald Trump. Madje, shprehu edhe entuziazmin e tij për takimin me presidentin me të fuqishëm në botë.
“Takimi im me presidentin Trump, është një takim që i shërben interesin të qytetarëve, i shërben Kosovës. Unë kam qenë shumë i gëzuar, shumë krenar, jo për faktin që jam takuar vetëm vet duke pasur një nderë që lideri i vetëm në Ballkan ta takoj një personalitet të tillë të fuqishëm, por kam qenë i entuziazmuar… Çdo herë jemi të bekuar me partneritetin që kemi me vendet perëndimore, mos t’i lëmë partnerët tanë të ftohen nga ne, të kemi më shumë besim në Kosovën tonë, atdheun tonë, institucionet tona. Kosova ka mundësi të marr vendime dhe do të marr vendime që janë në interesin nacional, të cilat janë në interesin e qytetarëve, të jeni të bindur në këtë”, theksoi Veseli.
Qeveria e Kosovës ka theksuar se pas përfundimit të raportit përfundimtar nga komisioni qeveritar për matjen e territorit, i cili pritet të dal pas diskutimeve publike që janë duke u zhvilluar./kp