Aktuale

Veseli: Kjo është një ditë e veçantë për demokracinë e vendit

Ka filluar debati profesional-shkencor i organizuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës për ballafaqim faktesh në lidhje me shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e ka cilësuar mbajtjen e këtij debati si një ditë shumë të rëndësishme për vendin, demokracinë e shtetit, për qytetarët e Kosovës si dhe për fqinjët e partnerët ndërkombëtarë.

“Vërtetë kjo ditë është e veçantë për të gjithë qytetarët e vendit. Kemi kaluar një vit të plotë i cili nuk ka qenë i lehtë me disa tema që kanë pasur të bëjnë me sovranitetin e Kosovës, me interesat e qytetarëve tanë që jetojnë në pjesë të caktuara, dhe kemi pasur të bëjmë me një marrëveshje me fqinjët tanë në Mal të Zi. Unë e konsideroj sukses të jashtëzakonshëm. Kjo është mënyra se si ne duhet të debatojmë edhe në kohët kur ne nuk merremi vesh, të ballafaqohemi me fakte e argumente.”, ka thënë Veseli .

Veseli ka shtuar se Kosova është e interesuar që të zhvillojë marrëdhënie të mira me Malin e Zi.

“Këtë duhet ta bëjmë për ata të cilët na besojnë, për jetën e tyre më të mirë, për mbrojtjen e identitetit të qytetarëve, por edhe të sovranitetit. Synojmë që të përçojmë mesazhin te fqinjët tanë për të treguar se sa e rëndësishme është që të kemi raporte të mira me fqinjët tanë. Jemi të interesuar të kemi raporte të mira me Malin e Zi, i cili është njëri ndër vendet e para që njohu pavarësinë e shtetit tonë”, ka thënë Veseli./KosovaPress/