Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për të parin e Kamenicës, Kujtim Gashi, të mërkurën ka shpalosur programin qeverisës duke premtuar mirëqenie ekonomike për të gjithë banorët e kësaj komune.
Për të mbështetur Gashin, kishte shkuar edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli, i cili tha se Kamenica do ta kalojë epokën e izolimit pasi që shumë shpejt do të lidhet me autostradën.
Me këtë rast Veseli është zotuar se do të jenë afër qytetarëve të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës ndërsa ka theksuar se kryetari i komunës së Kamenicës e ka përgjegjësi që të lehtësojë çdo gjë që mundet për qytetarët që jetojnë në pjesën e Luginës.
“Kujtim Gashi do të jetë kryetar i komunës së Kamenicës për të qenë më afër qytetarëve, për ti dhënë shtysë më të madhe zhvillimit ekonomik dhe në të njëjtën kohë komuna e Kamenicës ka ende nevojë për investime në infrastrukturë. Zotohemi se Partia Demokratike e Kosovës përkatësisht Qeveria qendrore do të jetë përkrah Kujtim Gashit në çdo projekt i cili ka të bëjë me zhvillimin e Kamenicës, në të njëjtën kohë Kamenica do ta kaloj epokën e izolimit, shumë shpejt do të jetë i lidhur me autostradën të jenë të sigurt të gjithë qytetarët e Komunës së Kamenicës. Dhe ajo që është kryesorja Kujtim Gashi do të qeverisë me përgjegjësi dhe transparencë”, tha Veseli.
Ndërkaq kandidati për kryetar të Kamenicës, Kujtim Gashi ka thënë se do të krijojnë hyrje të lehtë në autostradë për qytetarët e Kamenicës, duke premtuar se do të fokusohen në rritjen e kapaciteteve dhe funksionalizimi të infrastrukturës.
Ai gjatë vizitës në fabrikën e bllokave “Breckos” , u zotua se gjatë mandatit të tij qeverisës do të krijoj kushte më të mira për zhvillimin ekonomik, duke ndërtuar parkun e biznesit si një mundësi të mirë për të punësuar rreth 1 mijë të rinjë.
Sipas tij, përgatitja e kuadrove për tregun e punës dhe nevojat që ka industria në komunën e Kamenicës është ngritja kapaciteteve në shkollën profesionale në Komunën e Kamenicës, e për këtë ai është zotuar se do të punojnë që të ngrisin kuadro të duhura për tregun e punës.
“Ne do të përpiqemi që gjatë punës tonë dhe përkrahjes që do të kemi nga niveli qendror por edhe bashkëpunimet që do të kemi me komunitetin e biznesit, të krijojmë kushte dhe mirëqenie më të mirë në Komunën e Kamenicës. Një nga prioritet tona që do t’i radhisim në mandatin e ardhshëm qeverisës do të jetë investimi në krijimin e parkut të biznesit, që do të jetë një park modern me infrastrukturë të favorshme për të gjithë investitorët. Ajo do të krijojë mundësi që të hapen mundësi të reja në atë ambient dhe krijimin e më shumë se 1 mijë vendeve të punës në atë ambient… Ne do të hapim drejtime të reja në shkolla teknike që do të prodhojnë kuadro për tregun e punës, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në punësimin e të rinjve në komunën tonë”, tha ai.
Krejt në fund, ai ka thënë se objektivë kryesore do të ketë krijimin e Zyrës për Zhvillim Strategjik në komunën e Kamenicës, me ekspertë dhe kuadro të lëmive të ndryshme./kp