Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në një iftar të shtruar të enjten nga kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, në oborrin e objektit komunal.
Përveç udhëheqjes komunale të Klinës dhe besimtarëve të shumtë myslimanë, pjesëmarrës në këtë iftar ishin edhe krerë të bashkësisë fetare katolike të kësaj komune, bën të ditur një komunikatë nga zyra e kryekuvendarit.
Veseli falenderoi kreun e Komunës së Klinës për këtë iniciativë, si dëshmi e tolerancës ndërfetare, mirëkuptimit dhe humanizmi ndaj njëri-tjetrit.
Veseli pati fjalë miradie për të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Kosovës, të cilat ai i konsideroi shembull të bashkëpunimit dhe përhapjes së harmonisë fetare e tolerancës midis njerëzve.
Kryetari i Kuvendit potencoi edhe vlerat fetare të patriotëve tanë të shquar, të cilat afruan popullin me besimin e tyre.
“Kënaqësia për të qenë bashkë, ia shton vlerën festave tona. Harmonia fetare është vlerë jona e veçantë dhe kështu do të mbetet”, theksoi Veseli.