Koalicioni PDK-AAK-Nisma kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, me të cilën parashihet që prioritet i qeverisë së ardhshme të jetë sektori shëndetësor, i cili është vlerësuar se qëndron në gjendje të rëndë.
Krerët e koalicionit, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, thanë se me këtë memorandum duan ta sigurojnë personelin mjekësor në Kosovë se qeveria e ardhshme zotohet për ngritjen e kualitetit në shërbimet shëndetësore.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli premtoj se me këtë memorandum do të ketë rritje të pagave për sektorin e shëndetësisë dhe se ky sektor do të ketë prioritet në qeverisjen e ardhshme të koalicionit. Veseli theksoi se ua ka dhënë fjalën dhe janë zotuar me Haradinajn se nuk do të ketë asnjë person që kryen mjekësinë që do të mbes pa punë, as specializantët.
Kreu i PDK-së, shtoi se ky memorandum me FSSHK-në nuk do të jetë i fundit, pasi do të ketë edhe memorandume tjera që do të nënshkruhen me federata tjera, siç është ajo nesër me federatën e pensionistëve të Kosovës. I nominuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj i ka quajtur heronj personelin mjekësor në Kosovë, meqë sipas tij, ata e kanë mbajtur gjallë kujdesin shëndetësor edhe në vitet me të vështira. Haradinaj ka shpjeguar edhe memorandumin e nënshkruar, duke thënë se përmban tri pika kryesore.
Ndërsa, Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, u shpreh i lumtur me nënshkrimin e këtij memorandumi, pasi një koalicion ka marr seriozisht sektorin e shëndetësisë.
Syla shtoi se në bazë të këtij memorandumi në tre muajt e parë do t’i bëjnë disa prioritete, kyçe siç është furnizimi me materiale shpenzuese, procedurat e infrastrukturës ligjore që duhet t’i kryejnë në njëqind ditëshin e parë, ligji mbi pagat në shëndetësi dhe të tjera që kanë qenë kërkesa të protestës. /KosovaPress/