Aktuale

Veseli: ‘ Fillimi i Ri’ ka fokus vendet e punës, kjo është mungesa e çdo familje

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vazhduar shpalosjen e platformës “Fillimi i Ri” para strukturave dhe simpatizantëve të PDK-së në Pejë, duke thënë se fokusi kryesor do të jetë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, të cilat do të mundësojnë një perspektivë për qytetarët e vendit.

Sipas kreut të partisë me të madhe në vend, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe vendeve të punës ka bërë që Kosova të ngecë edhe në integrimet evropiane.

“Ajo çka e prekë çdo familje tonë është mungesa e vendeve të punës. Do të thotë që rinia jonë nuk e ka perspektivën e duhur në vendin e vet, në atdheun e vet dhe në mënyrë shqetësuese po mendon për daljen jashtë Kosovës. Në të njëjtën kohë ekonomia jonë nuk është e zhvilluar dhe kur nuk është e zhvilluar natyrisht se integrimet evropiane është i munguar, kjo është ajo çfarë është situata aktuale”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së, fokus të veçantë tha se do t’i kenë personat me nevoja të veçanta, sepse ata mund të jenë produktiv në shoqërinë tonë. E derisa po fliste për këtë kategori, një i ri përqafoi Veselin, duke i emocionuar të gjithë.

“Një dedikim më i veçantë personave me aftësi të veçanta dhe të gjithë kategoritë të cilat kanë nevojë për ndihmë. Ne jemi popull solidar ata nuk kanë nevojë për lëmosh, por kanë nevojë për ndihmë për integrim për barabarësi për arsye se kanë mundësi të jenë shumë produktiv për shoqërinë tonë, nuk do ti lëmë inferiorë por do të jemi në kategorinë e tyre për t’i ndihmuar…s’kemi me iu lëmë vet kurrë”, theksoi Veseli.

I pari i PDK-së, para qytetarëve të Pejës, shpjegoi platformën ‘Fillimi i Ri’, për të cilën tha se orientimin kryesor do ta ketë tek zhvillimi ekonomik.

“Çka është fillimi i ri, është orientim i tërësishëm kah ekonomia, kah vendet e lira të punës, nga fuqizimi i rinisë, i gruas, fuqizimi i shtetit të Kosovës. Po, po nuk do të heqim dorë nga identiteti jonë kombëtarë i fuqishëm, do të vazhdojmë ta lartësojmë flamurin tonë kombëtar, në të njëjtën kohë do ta ruajmë dhe do ta mbrojmë flamurin tonë shtetëror nga Majlinda Kelmendi e shumë Majlinda që do të jenë në Kosovë”, u shpreh Veseli.

Kësaj, radhe kreu i PDK-së, nuk ka anash as diasporën, për të cilën tha se është kategoria që ka mbetur në pozitën me të rënd. Por theksoi se nuk kish mund të arrihet liria pa diasporën kosovare, ndonëse ende nuk kanë arritur t’iu dalin hakut. Veseli ka ftuar ata që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, pasi institucionet do të jenë garantuese të investimeve të tyre duke iu ndihmuar atyre sepse institucionet kanë obligim ndaj atyre njerëzve.

Në takimin e Veselit me strukturat dhe simpatizantë të PDK-së, të pranishëm ishin edhe dy investues gjerman në Kosovë, të cilët kreu i PDK-së i falënderoi për investimet e tyre në Kosovë, por ftoi edhe me tutje vazhdimësinë e kësaj praktike./KP/