Kryeparlamentari Kadri Veseli e ka proceduar për miratim në seancën e ardhshme plenare draft-deklaratën e propozuar nga Kuvendi për liberalizimin e vizave.
Pas insistimit të arritjes së konsensusit politik në Komisionin për Punë të Jashtme, Veseli tha se deklaratën përmes së cilës do të kërkonin nga vendet e BE-së liberalizimin e vizave do ta procedojë në Kuvend, me shpresë se opozita do të miratojë atë.
Por, përfaqësuesit e opozitës janë shprehur kundër kësaj deklarate, duke insistuar që në të të futet çështja e Demarkacionit për ta kthyer atë në pikën zero.
Veseli nga ana e tij tha se me këtë opozitë është vështirë të arrihet unitet për çfarëdo lloj marrëveshje, pasi ata që një vit e kanë mbajtur liberalizimin e vizave të bllokuar për interesa të ngushta politike.
Ai tha se kjo është një përpjekje e tij për të unifikuar klasën politike dhe për të bërë përpjekje për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në draft-deklaratën e kryeparlamentarit Veseli u bëhet thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që miratojnë liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, dhe jepet zotimi se klasa politike në Kosovë do të merr në shqyrtim në një të ardhme të afërt marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
