Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, kanë bërë prezantimin e planit ekonomik të koalicionit, duke thënë se mbështetja e bizneseve, zhvillimi i bujqësisë dhe fuqizimi i grave dhe të rinjve janë prioritetet e koalicionit PDK-AAK dhe Nismës për Kosovën, derisa u premtua një rritje e buxhetit prej 8 përqind.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se Kosovës i duhet një fillim i ri për ekonominë dhe se kjo është ajo që do të bëjnë pasi të marrin miratimin e qytetarëve më 11 qershor.
Ai tha se që të kenë fillim të ri për ekonominë duhet një udhëheqës i aftë për të marrë vendime dhe se duhet vizion dhe vendimmarrje, të cilën sipas tij, e ka Ramush Haradinaj.
I pari i PDK-së tha se ekonomia e gjenë veten të ngecur, dhe se premtoj që në fillimin e ri kanë synim që ta dyfishojnë rritjen ekonomike vjetore në 8 përqind. Sipas tij, për të arritur këtë ata kanë vendosur tri prioritete.
Prioriteti i parë sipas tij, është përkrahja dhe mbështetja e biznesve aktuale.
“Prioriteti numër një është që qeveria jonë të filloj të përkrahë bizneset tona aktuale të cilat janë në Republikën e Kosovës. Në Kosovë janë aktualisht 60 mijë biznese, 60 mijë ndërmarrës të cilët janë heronjtë e Kosovës dhe krijojnë vende pune, liderët e ekonomisë sonë janë ndërmarrësit e Kosovës e jo as qeveria apo ndonjë ministër. Kjo është ajo pse do ti jepet shumë rëndësi ndërmarrësve tanë. Ne do ti ndihmojmë ata dhe do ti përkrahim ata. Nëse cdo ndërmarrje apo biznes të cilin e kemi vetëm aktual do të shtonte vetëm një të punësuar atëherë do ti kishim në republikën e Kosovës 60 mijë vende të lira të punës. Plani ynë është që të përqendrohemi në rritjen dhe zhvillimin e bizneseve ekzistuese aktuale dhe në krijimin e një mjedisi shumë më të përshtatshëm për të krijuar edhe më shumë biznese që do ti hapnin përspektivë ardhjes së investimeve”, tha ai.
I pari i PDK-së premtoj që në 100 ditët e para të qeverisjes së tyre do të ulin tatimin në të ardhura, mbi fitimin e korporatave nga 10 në 9 përqind.
Ndër premtimet për biznese ishin edhe trefishimi i fondit për garantimin kreditor, trefishimi i fondit për bizneset e vogla. Gjithashtu, ai tha se do t’i thonë mjaft importit dhe do të pesëfishojnë eksportin.
E fusha e dytë prioritare për koalicioni PDK-AAK dhe Nisma, është bujqësia. I pari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se së bashku me Ramush Haradinaj do të dyfishojnë buxhetin për sektorin e bujqësisë nga 58 milionë në 120 milionë.
“Fusha e dytë prioritare do të jetë bujqësia, bujqësia do të jetë motori i transformimit ekonomik të Kosovës i cili do të vazhdojë pastaj edhe me rritjen e kapaciteteve tona industriale. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta rrisim atë. Fermerët tanë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për neve dhe nuk do të lejojmë që ata të jetojnë me frikë nga fatkeqësitë të tilla sic kemi pasur edhe këtë vit. Do ta rrisim sektorin e bujqësisë, keni parasysh vetëm aktualisht janë rreth 100 mijë hektarë tokë që janë tërësisht organike dhe mund të prodhojmë produkte organike. Së bashku me kryeministrin Ramush HAradinaj ne do të dyfishojmë buxhetin në sektorin e bujqësisë, do të thotë nga 58 milion në 120 milion, do të rriten grantet dhe subvencionet”, tha ai.
Fuqizimi i grave dhe të rinjve është prioriteti i tretë i këtij koalicioni. Veseli tha se do të mbështesin gratë ndërmarrëse të cilat kanë iniciativa për ndërmarrësi. Ndërsa, për të rinjtë tha se janë e tashmja dhe se do të punojnë për ta dhe me ta.
Ndërsa, Ramush Haradinaj, tha se janë një ekip serioz në punë. Ai tha se prioritetet e tyre janë të qarta dhe se do të punojnë për bizneset që të t’i rrisin dhe të hapin vende të reja të punës.
“Jemi ekip serioze, jemi serioz në punë edhe sot po e dëshmojmë që synimi ynë në të vërtetë është puna. Prioritetet tona janë të qarta, si kryeministër, qeveria ime do të punoj për bizneset tona që ato të mundet të rriten dhe me hap vende të reja të punës. Do të zhvillojmë sektorin e bujqësisë për të rritur eksportet tona dhe për të hapur vende pune. Qeveria ime do të fuqizoj të rinjtë dhe gratë për të marrë pjesë në ekonominë tonë plotësisht dhe për të krijuar vende të reja të punës. Qëllimi ynë themelorë është vendet e punës, krijimi i vendeve të punës. Ekonomia jonë ka ngecë viteve të fundit dhe ka munguar vendimmarrja. Me përkrahjen e Kadri Veselit, me përkrahjen e PDK-së, me përkrahjen e atyre që e i besojnë këtij programi, qeveria e ardhshme do të vepron dhe do të arrijë rezultate cdo ditë”, tha Haradinaj.
Sa i përket uljes së importit, Haradinaj tha se duhet të ja fillojnë diku, e ai tha se do të fillojnë me uljen e importeve me Serbinë.
“Edhe ulja e importeve do të ia nis diku, do ta kemi një target që me i ulë këto importe, është e kuptueshme që ia fillojmë me i ulë importet prej Serbisë, për shkak se shumë prej atyre prodhimeve janë tonat, mund ti prodhojmë edhe janë të kualitetit”, tha ai.
Sipas Veselit e Haradinajt, derisa subjektet tjera kanë vetëm premtime, koalicioni PDK-AAK-Nisma ka vizionin dhe guximin për të arritur çdo objektivë./KP