Aktuale

Veseli: Çdo mbeturinë e ish-pushtetit të Serbisë po largohet

Të enjten do të vazhdojë seanca e cila kishte mbetur përgjysmë para dy javësh ndërkaq një e re do të mbahet të premten

Kështu ka njoftuar sot kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pasi që doli nga salla ku duhej të mbahej mbledhja e Kryesisë e cila është shtyrë për nesër në mungesë kuorumi.

Duke folur për demarkacionin kryetari i Kuvendit tha se kjo temë është bërë histori e gjatë dhe është duke e dëmtuar Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Po e rrezikojmë izolimin e qytetarëve. Presim shumë shpejt që bartësit më të lartë institucional të Malit të Zi do ta thonë duke iu drejtuar edhe instancave ndërkombëtare që nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të izolohen për shkak të demarkacionit”, tha Veseli.

Sipas Veselit Kosova nuk ka asnjë problem me Malin e Zi.

Veseli po ashtu ka folur edhe për kodin telefonik shtetëror të Kosovës ku sipas tij çdo mbeturine e ish- pushtetit të Serbisë mbi Kosovën është  duke u larguar.

“Kosova do ta ketë kodin e vet telefonik dhe kjo tregon se ka një rrugëtim që është i pavarur tërësisht nga Republika e Serbisë. Serbia ka marre fund për Kosovën”, tha Veseli./KosovaPress/