Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma Ramush Haradinaj, dhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli kaën nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi me drejtuesit e SBASHK-ut.
I pari i PDK-së, Kadri Veseli me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes premtoi se çështja e njohjes së stazhit për punëtorët e viteve të 90-ta do të rregullohet në tre muajt e parë të qeverisjes së tyre.
“Jemi marrë vesh. Në Kuvendin e Republikës të Kosovës, ligji për stazhin e punës për vitet e 90-ta do të jetë i rregulluar me ligj brenda tre muajve”, u shpreh Veseli.
Ky nënshkrim sipas tij është vazhdimësi e bashkëpunimit të mëparshëm me SBASHK-un.
“Këta njerëz kanë nevojë dhe do të kenë përkrahjen dhe trajtimin adekuat institucional. Jam krenar që kemi nënshkruar këtë memorandum mirëkuptimi, I cili, e them çdo herë se është shumë modest nga kërkesat e sindikatave për arsye se edhe këta e kuptojnë situatën në të cilën ne zhvillohemi. Por duke kuptuar se do të kemi ndërmarrësi të fuqishme, zhvillim ekonomik, rritje të buxhetit të Kosovës, natyrisht ne do të lëvizim edhe nga rritja e pagave duke përfshirë 30 përqind rritjen e pagave për sektorin e arsimit. Po ashtu do të rrisim pagat për sektorin shëndetësor, do të rrisim pagat për punonjësit tanë në polici dhe do të rrisim pagat për zjarrëfikësit, për ushtarët dhe gjithë sektorin publik, administratën publike”, ka thënë Veseli.
Kandidati për kryeministër nga koalicioni i gjerë , Ramush Haradinaj, u shpreh se me arritjen e kësaj marrëveshje janë plotësuar kërkesat e të dyja palëve, pasi siç tha ai është interes i përbashkët që të shpërblehet puna e atyre që sakrifikuan që të mësohet gjuha shqipe edhe në kohërat më të vështira.
“Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e përfaqësuar nga Rrahman Jasharaj konfirmon sot angazhimin e përbashkët që të përmirësohet gjendja në arsim dhe më këtë po krijohen kushtet që të temat e rëndësisë në vend t’i trajtojmë bashkë si palë e jo ndaras, jo nga larg. Jam I bindur se kjo mënyrë e punës bashkë do të sjellë rezultatet që I presim dhe që i meritojmë në Kosovë. Sot, duke iu shprehur falënderimin për punën vetmohuese iu japim premtimin se më nuk janë vetëm”, u shpreh Haradinaj.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se me arritjen e kësaj marrëveshje, sipas tij, më në fund ligji i viteve të 90-ta do të shkojë në Kuvendin e Kosovës dhe në këtë mënyrë, sipas tij, do të marrin hakun ata që mbajtën gjallë arsimin shqip.
“Ne publikisht iu kemi drejtuar thirrje koalicioneve dhe subjekteve politike që të ulemi dhe të bisedojmë çka mbas 11-të qershorit. Jam i lumtur që koalicioni AAK-PDK-NISMA iu përgjigjën ftesës sonë. Kjo dëshmon se këta e kanë sinqerisht “, tha Jasharaj.
Ndryshe, në pyetjen se çfarë do të bëhet për mësimin shqip jashtë Kosovës, Haradinaj tha se do të bëjnë hulumtime për gjetjen e mënyrave që asnjë fëmijë të mos mbesë pa mësuar shkrim-lexim të gjuhës shqipe./KP