Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, për Projektligjin për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Veseli është shprehur i bindur se nesër deputetët do ta ratifikojnë Demarkacionin me Malin e Zi.
“Ne kemi përcaktim të qartë evropian dhe perëndimor”, është shprehur Veseli në Klan Kosova.
“Ne, nesër do ta votojmë demarkacionin. Është çështje që i hap perspektivë Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Veseli, raporton Gazeta Express.
“Jam shumë i sigurt në reflektimin e krejt kolegëve deputetë, se sa e rëndësishme është dita e nesërme”, ka thënë kreu i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se ratifikimi i Demarkacionit “nuk ka asnjë arsye të shtyhet. Ka mijëra arsye që të kalojë”
“Është dashur të kalonte tre vite më herët. Nesër patriotizmi më i madh do të ishte ratifikimi i demarkacionit”, është shprehur Veseli.
Ai ka thënë se mosratifikimi eventual i Demarkacionit nesër do të ishte një goditje tjetër për Kosovën, në ditën kur vendin do ta vizitojë një delegacion i BE’së, në krye me kreun e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. /Express/