Aktuale

Vendimet joligjore të Qeverisë së Mustafës

Qeverija Mustafa edhe pse në ditët e fundit të ushtrimit të pushtetit ajo po vazhdon të marrë vendime. Qeveria në largim e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 145-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Ndër të tjera është marrë vendim për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, mori miratimin e kabinetit qeveritar, ndërsa u miratua edhe Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Agjencinë për Barazi Gjinore.

Ky angazhim i ekzekutivit në largim po shihet si jolegjitim nga njohës të Kushtetutës, të cilët vlerësojnë se në këtë periudhë kalimtare nuk duhet ndërmarrë vendime të mëdha, shkruan gazeta Zëri.

Madje analistët në vend e shohin këtë angazhim të qeveritarëve në largim si mobilizim zgjedhor, pasi këto vendime po merren pikërisht në kohë fushate. Këto vendime sipas njohësve të çështjeve politike do të zhvleftësohen nga qeverisja e ardhshme.

Në anën tjetër, ka politologë që mendojnë se shtrirja e pushtetit nga ana e qeverisë “Mustafa” edhe pse në ikje është krejtësisht legjitime.Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, e vlerëson si joligjore marrjen e vendimeve nga qeveria në largim.“Në këtë periudhë kalimtare parimisht nuk është në rregull që të merren vendime me shuma të mëdha, vendime kapitale.

Tani do të duhej vajtur vetëm ecuria teknike, kapaciteti teknik i një qeverie për veprime teknike, ditore, të domosdoshme, operative dhe jo për vendime të rëndësishme, të shumave të mëdha dhe vendime strategjike, kjo si rast nuk është shumë legjitim nga qeveritarët në ikje”, ka thënë Baraliu, duke theksuar se përbërja ekzekutive aktuale po merr vendime elektorale.