Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë një vendim të ri për seancën konstituive të Kuvendit.
I pari i vendit sot ka njoftuar se seanca për konstituimin e Kuvendit nuk do të mbahet me datë 24 dhjetor.
Në një komunikatë për media të Zyrës së Presidentit, thuhet se shtyrja ka ardhur me kërkesë të partive politike.
“Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas kërkesës së shumicës së partive politike, ka ndryshuar datën e thirrjes së Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet nw njoftim.
Tutje sqarohet se presidenti Thaçi ka ndryshon datën e mbledhjes së parë të Legjislaturës së Shtatë, duke respektuar kërkesën e shumicës së partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
“Duke respektuar kërkesën e shumicës së partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me sqarimin se data 24 dhjetor lidhet me pushimin për festën e Kërshëndellave, presidenti Thaçi ka vendosur që Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta thërras më datën 26 dhjetor, në orën 15:00”, thuhet nga Presidenca.
Kryetari dhe Kryesia e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për mbledhjen e parë të përbërjes së re të Kuvendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar më 27 nëntor rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 6 tetor.
Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 28, PDK-ja, 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 13, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë.
Ndërkaq, nga komunitetet joshumicë, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende kanë fituar së bashku të gjitha partitë e minoriteteve joserbe.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.
Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive./FaktePlus