Aktuale

Veliu nuk bënë të ditur kandidatët e LDK-së për deputetë

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, nënkryetari i kësaj partie Agim Veliu, nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a janë në listën për deputetë ish deputetët që kanë kundërshtuar demarkacionin.

Veliu ka theksuar se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës u aprovua kandidati i LDK-së për kryeministër, që sipas tij u bë me unanimitet, pastaj vendimi për koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit si dhe aprovimin e listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së, i cili aprovim u bë më shumicën absolute të votave, ku dy vota ishin kundër dhe një abstenim.

“Lista e kandidatëve për deputet është bërë në bazë të disa kritereve, të cilat janë diskutuar në LDK dhe propozimeve të marra nga degët e LDK-së në një proces shumë të hapur dhe transparent, në biseda me të gjitha strukturat e LDK-së. Në listat e LDK kanë qenë të gjithë deputetët, ish deputetët. Ka figura tjera, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Kuvendit të LDK-së. Ka qenë një proces i hapur që është diskutuar dhe është vendos në forumet e LDK”, tha Velliu.

Ai shtoi se lista definitive e deputetëve do të bëhet publike pas konsultave të kryetarit të partisë me kryesinë, kjo do të bëhet publike.

Kurse kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdulla Hoti shprehu gëzimin për mbështetjen që mori nga LDK që të nominohet për kryeministër të vendit, duke shprehur besimin në fitore.

“Para jush shpreh gëzimin tim që sot LDK është plotësisht unike në kandidaturën për kryeministër të vendit dhe kjo mua më jep shpresë të plotë për koalicionin që kemi formuar. Siç e keni parë në ditët e fundit janë marr vendime kapitale në LDK, që vetëm kjo parti me gjithë këtë përvojë mund të bëjë”, tha Hoti.

Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së e ka lëshuar ish kryetari i kësaj partie Fatmir Seidiu, i cili për media ka bërë të ditur se më nuk do të jetë kryetar nderi i kësaj partie, por vetëm një anëtar i thjesht, raporton KosovaPress.