Kryetari i Podujevës, Agim Veliu, është “lavdëruar” përmes rrjeteve sociale për përfundimin e një projekti në rrugën “Brigadat” në Podujevë.
Ai në “Facebook” ka shkruar se Komuna po vazhdon të implementojë projekte që kanë për synim përmirësimin e gjendjes infrastrukturore të Podujevës, transmeton “Indeksonline”.
“Po vazhdojmë me projekte për kompletimin e infrastrukturës në Komunën e Podujevës. Është vendosur rrjeti i ndriçimit publik edhe përgjatë disa rrugëve të qytetit dhe fshatrave përreth”, ka shkruar Veliu.
Mirëpo, llapjanët mesa duket nuk janë të kënaqur me punën që ai po bën. Në disa fotografi të postuara në faqen “Podujeva” në “Facebook”, shihen shtyllat e vendosura në mes të trotuarit, duke penguar kështu qarkullimin e lirë të qytetarëve.
“E papranueshme…! Në rrugën Brigadat nga rrethi në drejtim të Kerpihmehit janë vendosur shtyllat për ndriçimin e rrugës në këtë mënyrë katastrofale në mesin e trotuarit…!”, është mbishkrimi i fotografive të postuara nga qytetarët.
Kujtojmë se qytetarët e Podujevës janë ankuar disa herë për kryetarin e Komunës, Agim Veliu, dhe projektet që ai i ka përfunduar në mënyrë jo të duhur.

