Aktuale

Veliu: AKR s’mund të na detyroj që të bisedojmë me subjektet politike

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Agim Veliu ka thënë se LDK dëshiron që të vazhdojnë koalicionin me AKR dhe Alternativën, pasi nëse në këtë mënyrë prishen koalicionet nuk dihet se çfarë stabiliteti do të ketë Kosova.

Ai pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, ka thënë se nuk kanë zhvilluar asnjë takim apo bisedë me Behgjet Pacollin, pas vendimit të Kuvendit të AKR-së, vendim ky që e autorizon Pacollin që të gjejë zgjidhje për daljen nga kriza institucionale, edhe jashtë koalicionit parazgjedhor me LDK-Alternativa.

Veliu tha se përmes mjeteve të informimit janë njoftuar për vendimin e marrë dje nga AKR-ja.

“Nuk kemi pasur asnjë bisedë. Ne kemi dëgjuar se si lajm si informatë që është dhënë, deri tash nuk kemi pasur kurrfarë takimi as bisede me zotëri Pacollin se çka ai mendon”, tha ai.

Veliu po ashtu ka thënë se AKR-ja nuk mund t’i detyrojë që të zhvillojnë bisedime me subjekte tjera politike.

“AKR-ja nuk mund të na detyroj që të hyjmë në biseda me asnjë subjekt tjetër politik….. LDK nuk ka çka të diskutojnë vendimet e një subjekti tjetër politikë, ne dëshirojmë që koalicioni jonë të vazhdojë pasi nëse në këtë mënyrë krijohen dhe prishën koalicionet, nuk e di se çfarë stabiliteti do të ketë Kosova apo me çfarë stabiliteti do të krijohen institucionet e Kosovës“, shtoi ai.

Veliu ka potencuar se ata do të shkojnë në Kuvend sa herë që të thirren dhe do ta japin kontributin e tyre si grup parlamentar.

Këto komente Agim Veliu i bëri pas mbledhjes së kryesisë së LDK, gjatë të cilës u diskutua për kandidatët për kryetar të komunave të Kosovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Për Prishtinën dhe për Prizrenin ende nuk kanë vendosur dhe nesër pritet të dalin me emrat e kandidatëve për këto dy komuna./kp