Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës, me dhembje të thellë ka anëtarësinë e vet dheopinionin e gjërë, se dje në Çikago të SHBA-ve, në moshën 84 vjeçe, vdiq Enver Tali.
Enver Tali njihet si një veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare, në rrjedhjat e së cilës u fut që si nxënës i gjimnazit Sami Frashëri, pas Luftës së Dytë Botërore, dhe nuk pushoi së vepruari deri në fund të jetës.
Enver Tali ishte një mësimdhënës dhe edukator shembullor i brezit të ri, ndërsa për veprimtari të organizuar atdhetare, në Komitetin Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në Jugosllavi – me Shqipërinë, së bashku me Kadri Halimin e Ali Aliun dhe shumë të tjerë, u burgos dhe u dënua me burg të rëndë prej 5 vjetësh dhe më vonë disa herë uizolua si person ideopolitikisht i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për pushtetin popullor jugosllav.
Në vitet e ’90-ta u detyrua të largohet në Turqi, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës. Ai atje hapi Përfaqësinë e Republikës së Kosovës në vitin 1996, zyre kjo që dha një kontribut të veçantë në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Turqi dhe para trupit të huaj diplomatik atje.
Përmes kësaj zyreje Enver Tali dha një kontribut shumë të çmuar edhe në mbështetje të luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, në strehimin e refugjatëve, në shërimin e të sëmurëve, por edhe në shkollimin e të rinjve shqiptarë.
Veprimtaria e tij e shumëanshme e bën Enver Talin njeri me peshë të veçantë shoqërore, politike dhe kombëtare, që gëzon respektin e të gjithëve./KosovaPress/