Rajon & Botë

Vdes një protestuese në Francë pasi u shkel nga vetura

Një protestuese ka vdekur pasi u godit nga një veturë në njërën nga protestat që po mbahen në mbarë Francën kundër ngritjes së çmimit të naftës. Policia deklaroi se 47 protestues tjerë u lënduan, prej të cilëve tre janë në gjendje kritike.

Aksidenti fatal ndodhi në Pont-de-Beauvoisin, që ndodhet në pjesën jug-lindore të Francës. Aty ishin mbledhur rreth 150-200 protestues që nga ora tetë në mëngjes. Një zyrtar lokal tha se vozitësja e veturës që e shkaktoi aksidentin ishte duke e dërguar fëmijën e saj te mjeku, kur u ndal nga protestuesit në një rrethrrotullim. Pasi foli me ta, ajo u mundua të kalonte përmes një rruge anësore, por protestuesit kishin filluar ta godasin makinën e saj.

“Duket se vozitësen e ka kapur paniku, e ka rritur shpejtësinë e veturës dhe e ka goditur viktimën”, tha zyrtari. Viktima është një grua 63 vjeçare, e cila u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa vozitësja u arrestua.

Në anën tjetër, policia deklaroi se i ka arrestuar 24 persona, ndërsa shumica e lëndimeve janë shkaktuar nga vozitësit e zemëruar, të cilët mundoheshin të depërtojnë nëpër rrugët e bllokuara nga protestuesit. Autoritetet franceze thanë se rreth 124 mijë protestues janë duke marrë pjesë në 1000 protesta në tërë vendin, përfshirë edhe ishullin e Korsikës.

Këto protesta shpërthyen shkaku i ngritjes së çmimit të naftës. Presidenti i Francës po akuzohet se është shkëputur nga realiteti i jetës së përditshme dhe se nuk po solidarizohet me masën e gjerë të popullatës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli