Goran Haxhiç, i akuzuar për krime lufte në Kroaci, vdiq dje në Novi Sad.
Haxhiç u përballë me 14 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë rreth dyshimeve të përfshirjes së tij në deportimin dhe vrasjen e mijëra civilëve joserbë nga Kroacia në mes viteve 1991-93.
Në muajin prill, gjykatësit njoftuan se e kishin shtyrë gjykimin e Haxhiçit për shkak të sëmundjes së kancerit në tru.
Ai u arrestua në Serbi, në vitin 2011, pas shtatë vitesh arratie, ndërsa procesi gjyqësor kundër tij filloi në tetor të vitit 2012, raporton ATA.
Prokurorët e kishin përfunduar prezantimin e rastit kundër tij në nëntor të vitit 2013, ndërsa mbrojtja sapo e kishte filluar prezantimin e të dhënave të saj, kur ai u diagnostikuar me kancer, në vitin 2014.