Aktuale

Vdes edhe një 72-vjeçar nga koronavirusi, viktima e katërt në Vushtrri

Sot ka vdekur në Klinikën Infektive edhe një 72-vjeçar, i cili është nga komuna e Vushtrrisë.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Ai ka thënë se 72-vjeçari është viktima e katërt nga Vushtrria që ka vdekur si pasojë e COVID-19.

“Sot për fat të keq ka ndërruar jetë edhe bashkëqytetari i katërt, i prekur me COVID-19. Ekipet komunale janë duke kontaktuar me familjen për të kryer ceremonitë e varrimit”, ka thënë Tahiri.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, ndërsa ka bërë apel që qytetarët të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore, pasi kështu ruajnë veten dhe të tjerët.

“Dua t’u shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve, ndërkohë ftoj të gjithë qytetarët që të kenë kujdes, të bartin maska dhe të mbajnë distancë, të ruajnë veten dhe më të moshuarit e tyre, sepse ata janë më të goditurit”, ka thënë Tahiri për FaktePlus.

Vdekja e 72-vjeçarit e çon në 39 numrin e viktimave nga COVID-19 në Kosovë.