Aktuale

Vdekja e 17 vjeçarit në Sharrë, avokati i Popullit nis hetimin administrativ

Avokati i Popullit Igli Totozani reagoi në lidhje vdekjen e 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës, duke nisur një hetim administrativ për të verifikuar nëse institucionet shtetërore përgjegjëse kanë monitoruar trajtimin e të drejtave të punonjësve në kompaninë private të riciklimit të mbetjeve në fushën e Sharrës, ku Ardit Gjokli, humbi jetën.

“Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, shpreh tronditjen më të thellë për ngjarjen e rëndë të vrasjes dhe më pas braktisjes së 17 vjeçarit, Ardit Gjokli, në fushën e mbeturinave në Sharrë.

Totozani i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve të të riut që humbi jetën, pa mundur të ketë shansin që ta shijojë atë, si bashkëmoshatarët e tij.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, mbështet dhe inkurajon Prokurorinë e Tiranës, që të zhvillojë një hetim të hollësishëm dhe gjithëpërfshirës, për të gjetur dhe për të vënë përpara ligjit autorët dhe përgjegjësit e këtij akti tragjik.

Avokati i Popullit deklaron se ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar nëse institucionet shtetërore përgjegjëse kanë monitoruar trajtimin e të drejtave të punonjësve në kompaninë private të riciklimit të mbetjeve në fushën e Sharrës, ku 17 vjecari Ardit Gjokli, punonte prej disa kohësh.

Pjesë e hetimit të ekspertëve të Avokatit të Popullit është kërkesa për informacion drejtuar institucioneve shtetërore të përfshira, që kanë në kompetencën e detyrave të tyre funksionale: verifikimin e zbatimit të kodit të punës për punonjësit, kushtet e  kontratës, pagesën e sigurimeve, si dhe monitorimin e zbatimit të kushteve të sigurisë në punë  nga ana e firmës private që ushtron aktivitetin në fushën e mbledhjes së mbeturinave në Sharrë.”