Dy vetura me targa RKS janë sulmuar me gurë dje pasdite derisa po lëviznin në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se veturat e sulmuara janë Opel Zafira, pronë e Taxi Albani dhe tjetra Golf IV pronë private. Sipas këtyre burimeve, sulmi i parë ka ndodhur rreth orës 16:40 në rrugën ‘Knjaz Millosh’ ndërsa sulmi i dytë rreth 18:45 në rrugën ‘Tetovska’, të dyja në veri të Mitrovicës.
Burimet më tej kanë shtuar se sulmet që po ndodhin ditët e fundit ndaj shqiptarëve dhe veturave të tyre, dyshohet se po kryhen nga grupi i të rinjëve serbë të ashtuquajtur ‘Mosto-klinci”.
“Seria e incidenteve kohëve të fundit ndaj shqiptarëve dhe pronave të tyre në veri janë të motivuara etnikisht, me qëllim të nënshtrimit të presionit, që shqiptarët të mos qarkullojnë lirshëm në atë pjesë të qytetit, pak kohë para inaugurimit dhe hapjes së urës kryesore mbi Ibër”, kanë thënë burime të KosovaPress-it.
Ndryshe, gjatë dy javëve të fundit janë shënuar gjashtë sulme ndaj shqiptarëve në veri, duke përfshirë edhe lëndime të rënda trupore, ndërsa autorët e këtyre sulmeve akoma nuk janë zbuluar. /KP