Aktuale

Vazhdon seanca e Kuvendit, katër interpelanca për Haradinajn

Sot me fillim nga ora 14:00 do të vazhdojë seanca e kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë ka 12 pika të rendit të ditës, ndër to katër interpelanca për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Po ashtu aty pritet edhe të votohen rekomandimet nga debati në lidhje me skandalin e prishur të ardhur nga Belgjika.

Seanca fillimisht ishte e paraparë të mbahej në orën 10:00, mirëpo pastaj u zhvendos për në orën 14:00.

Rendi i ditës:

1. Votimi i Projektligjit nr. 06/L-061 për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar,

2. Votimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e gjashtë (6) anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, 3. Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,

4. Votimi i Mocionit nga Interpelanca, në lidhje me Sistemin informativ shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore publike dhe private në Republikën e Kosovës,

5. Votimi i rekomandimeve nga Debati parlamentar, në lidhje me skandalin e mishit të prishur të ardhur nga Belgjika, si dhe cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë,

6. Votimi i rekomandimeve nga Debati parlamentar, në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave,

7. Votimi i rekomandimeve nga Debati parlamentar, në lidhje me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit në Kosovë,

8. Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë (6) shtetasve turq.

9. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë,

10. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës,

11. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar “Deputetët e Pavarur”, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re” të nënshkruar me 20 dhjetor 2017,

12. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.