Disa përleshje mes policisë dhe protestuesve kanë shpërthyer të martën në kryeqytetin indian, New Delhi, për shkak të ligjit për shtetësinë, sipas të cilit myslimanët e vendeve fqinje nuk mund ta marrin shtetësinë indiane.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi thotë se me ligjin e ri do të mbrohen pakicat fetare, siç janë hindusët dhe të krishterët, nga përndjekja në Bangladesh, Pakistan dhe Afganistan, duke ua mundësuar marrjen e shtetësisë indiane.
Megjithatë, ky ligj nuk do të vlejë për myslimanët, prandaj analistët kanë thënë se kjo masë i dobëson themelet e sekularizmit në Indi.
Policia përdori gaz lotsjellës në kryeqytet për t’i shpërndarë protestuesit që sulmonin me gurë. Një dëshmitar tha se së paku dy policë janë lënduar gjatë kësaj përleshjeje.
“Kjo ishte një protestë paqësore kundër ligjit për shtetësi, por doli nga kontrolli”, tha Azib Aman, një banor lokal.
Në rrugët ku kaluan protestuesit kishte vetura të dëmtuara, zjarre të vogla dhe gurë të shpërndarë gjithandej.
Ndryshe, së paku 100 persona u plagosën të dielën kur policia e shtypi një protestë të studentëve kundër këtij ligji, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.