Aktuale

Vazhdimi i seancës u shndërrua në përplasje mes Veselit e Kurtit

As sot nuk është arritur që të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive. Kjo pasi koalicioni PAN nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke kërkuar kohë, sepse nuk i kanë votat, as për kryetar Kuvendi dhe as për Qeveri. Megjithatë, ky vazhdim i seancës u shndërrua në arenë përplasje në mes Albin Kurtit dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.

Seanca fillojë me një minutë heshtje për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi. Kryesuesi i seancës kërkoi nga koalicioni PAN që të propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, por kur fjalën e mori përfaqësuesi i këtij koalicioni, Enver Hoxhaj, kërkoi kohë shtesë, sepse tha se nuk i kanë votat as për kryetar Kuvendi dhe as për Qeveri.

Ai kërkoi kohë jo më shumë se dy javë, por as më pak se dhjetë ditë.

“E drejta është në anën tonë që ta propozojmë kandidatin tonë për kryetar të Kuvendit dhe mes asaj që është e mundshme, dhe ajo çka është e mundur është që ne në këto javët e fundit por edhe sot nuk e kemi pasur shumicën mbi 61 deputet, që të propozojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ne kandidatin e kemi por nuk e kemi shumicën. Kur flas se çka është e drejt dhe e mundshme, e mundshmja po ashtu nuk është në anën e askujt, ne e kemi parë që në seancën e fundit prania e koalicionit tonë i kemi 60 deputet, por askush tjetër nuk i ka shumicën tjetër. Kështu që për atë ne mendojmë që na duhet më shumë kohë, që të mundshmën ta ofrojmë drejt asaj se çka është e drejt”, tha Hoxhaj.

Mos propozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit nga koalicioni PAN, u shndërrua në një përplasje mes kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe deputetit të VV-së, Albin Kurti.

Ish-lideri i Vetëvendosjes derisa akuzoi koalicionin PAN për bllokim të krijimit të institucioneve, i kërkoi Veselit që të dal dhe matet nëse i ka votat për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit.

“Më 11 qershor nuk keni dashur që të mateni si i nominuar për kryeministër i PDK-së, tash nuk po dëshironi të mateni si i nominuari i PAN-it për kryetar të Kuvendit, matuni dhe ballafaqohuni me të vërtetën. Kosova po humbet shumë prej vonesave që po ia shkakton udhëheqja e PDK-së, tashmë prej Kosovës po tërhiqet FMN-ja, po i ndal programet e ndihmave financiare për Kosovën shkaku i vonesave që i shkaktojnë bojktotuesit e Kuvendit. Gjendemi përballë krizës energjetike për shkak të menaxhimit të keq nga të dirigjuarit e PDK-së, jemi të izoluar nga vizat si pasoj e korrupsionit dhe mos luftimit të tij”, theksoi Kurti.

Kurti në fjalën e tij, akuza pati edhe ndaj koalicionit LAA, duke thënë se përfaqësuesi i koalicionit LAA për bisedime me ta për qeverinë e re, Isa Mustafa ndodhet në konflikt interesi, sepse ai është kryeministër në detyrë që duket se nuk ka interes për kryeministër të ri.

Sipas Kurtit, LDK e ka emëruar Mustafën si udhëheqës të bisedimeve, e jo udhëheqës për pamundësim të bisedimeve.

Por kjo e ka nervozuar kreun e PDK-së, Kadri Veseli, i cili mori fjalën duke thënë se Kurti abuzoi me foltoren duke mos menduar për asgjë, vetëm se si të vjen në pushtet. Veseli shkoi dhe më larg duke thënë se e kanë marrë në qaftë Astrin Deharin dhe sulmet ndaj kryeministrit në detyrë, derisa tani i kërkojnë bashkëpunim.

Ai madje kishte edhe një pseudonim për Kurtin.

“Albini e përmendi emrin tim pastaj unë si një lider që e konsideroj shumë revolucionar, shoku Mao e quaj nganjëherë, fjalim politik të përgatitur vetëm për fushatë elektorale. As nuk i intereson çka ndodh në këtë Kuvend aktualisht, ideja është me qit këta janë të zinjët, këta e mbajnë shtetin peng, mos me kanë në shtet kanë me ra në burg, kemi me i tërheq zvarrë përmes formave tjera për të fituar elektorat. Po çka fiton, e merr pushtetin e çka fiton, vjen puna ka mi shti n’burg 70 dosje pastaj shkon i lutet. Këtu shpirtin ka dashtë t’ia nxjerr, ia ka sulmuar familjen, e ka sulmuar në Therandë me akte terroriste, e kanë sulmuar këtë Kuvend, e keni marrë në qafë Astrit Deharin, derisa këtu i keni ata që e kanë ideuar dhe sulmuar. Ju mund të bëni shantazh ku të doni vetëm keni parasysh me neve nuk iu shitet, me mua veçanërisht”, tha Veseli.

Veseli ftoi publikisht të gjithë ata që i bëjnë 61 vota le ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe ai do ta mbështet. Kreu i PDK-së, foli edhe për betimin e deputetëve të VV-së me flamurin kombëtar përpara.

“Po e them edhe një herë publikisht le të jem shumë i hapur, nuk po flas për disa që janë këtu, po flas për qytetarët e Kosovës, ne sot kur jemi, Hoxhaj e tregoj, situata politike gjendja në këtë Kuvend është 60 vota, nuk është 61 dhe nuk ka të drejt askush t’i bllokoj, është e vërtetë, po flas publikisht, kryesues mbaje evidencë, ditën që t’i bëni 61, unë jam kryetar i PAN-it, kush t’i bëjë 61 le të krijon institucionin e Kuvendit, por mos manipuloni me qytetarët. Nuk ka pasur gjë me të rënd për mua se sasi deputet edhe unë një ditë kam luftuar me ardh puna disa, që unë kur jam rritur, kanë jetuar në edukatën që nuk e kanë njohur as se kanë dashur Republikën e Kosovës, kanë futur familjarë tonë në burg, e me ardh puna me ma qit flamurin prej xhepi, e unë çka jam tradhtar, ju çka jeni, tradhtar. Po sikur Lista Serbe ta nxjerr flamurin e Serbisë, çka është kjo nxitje për shkatërrimin e këtij shteti”, u shpreh ai.

Atij iu kundërpërgjigj përsëri Kurti, i cili tha se Veseli po e barazon flamurin kombëtar me atë të Serbisë.

“Unë pata një pyetje shumë të thjeshtë për Veselin, pse s’po matësh, dil matu, shiko ai ke 61 deputetë. Gjykata Kushtetuese me vendimin e 36 gushtit të vitit 2014 ua ka dhënë të drejtën ekskluzive dil matu, pse s’po del të matësh. Nëse nuk donë të matësh, nëse frikësohesh të matësh, unë jam i bindur që në mesin e deputetëve të PAN-it ka deputet që i marrin 61 vota. Rrjedhimisht kjo nënkupton që ka deputetë në mesin e PAN-it që unë i votoj për kryetar Kuvendi….Ndërsa sa për pesë të arrestuarit e VV-së, ata u liruan dje, në mungesë të provave, u liruan dje, po ky nuk arriti ta bëjë punën e prokurorit dhe gjykatësit deri në fund, pra, ka dështuar në uzurpimin e sistemit të drejtësisë…Tjetra, Astrit Dehari është mbytur në burg është Qeveria e VV-s që do ta zbardh këtë rast, por njerëzit si Veseli nuk ke nevojë t’i pyesësh se këta flasin vet, ju e patë se si në Kuvendin e Kosovës e barazoi flamurin kombëtar me flamurin e Serbisë”, tha ai.

Por replika nuk u ndal me kaq. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, përsëri mori fjalën për t’iu kundërpërgjigjur Kurtit, duke thënë se VV dhe Kurti do të mbeten e zeza e Kosovës.

“E thash edhe një herë shumë qartë, publikisht për çështjen politike që ka të bëjë me kryetarin e Kuvendit edhe tri ditë me fol për çështjen e kryetarit të Kuvendit dhe çështjen e kryeministrit nuk kemi çka me fol, thjesht vetëm mane për fjale dashtë zoti që ndonjëherë si këta dalin dhe e marrin pushtetin, e zezë ka me qenë për këtë Kosovë. Këta asnjë fjalë, asnjë premtim dhe kanë me harruar, do ta harrojnë edhe Astrit Deharin, mane në mend ditën si të futen në pushtet…Sido që të jetë, bëni çka të doni por e zeza e Kosovës do të mbeteni….Ja ku e keni, shiko mikja e Fisnikut i mat komandantët sa miliona i kanë, me na qitë krejt bashkë çka jemi ma shumë se Fisniku s’kemi, krejt bashkë me na bë nja 10 vetë më shumë se Fisniku milioner. Janë rrokur veç tek UCK-ja, lufta e lirisë ka qenë ajo që ka qenë, por është pjesa më e mirë e epokës sonë në këtë tokë që i ka ndodh, nuk është mirë me e fy askush, në të njëjtën kohë politikisht hajde luftojmë, politikisht në kuptimin njerëzor mos të çmendemi për karrige. Bëni 61, Albin ki me qenë kryetar edhe kravata ka me të ndejtë më mirë si kryeministër, sherrin ka me ta pa Kosova, ki me kthye Serbinë në Kosovë”, shtoi ai.

Akuza ndaj koalicionit PAN për bllokim të krijimit të institucioneve ka drejtuar edhe Avdullah Hoti nga koalicioni LAA, sipas të cilit, e gjithë kjo po bëhet për shkak të ambicieve për pushtet të dy njerëzve, duke iu referuar Kadri Veselit e Ramush Haradinaj.

“Kjo situatë është krijuar nga një grupim politik që thjeshtë ka monopolizuar të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit dhe për të quar përpara procesin e themelimit të institucioneve të vendit. Dua të them edhe një herë qartë se ky monopolizim po bëhet për shkak të insistimit të vetëm dy individëve për të ardhur në krye të dy institucioneve të vendit me çdo kusht, duke mos ndjekur asnjë rrugë për të realizuar qëllimin e tyre”, u shpreh Hoti.

Për mos propozim të kandidatit për kryetar të Kuvendit nga PAN-i, reagoi edhe kryesuesi i seancës Adem Mikullovci.

“Atë ditë në konsulta të partive thatë se kush jeni ju që po dyshoni që ne do të vijmë në Kuvend dhe do ta bimë emrin e kandidatit, atë ditë ju thash po ju them edhe sot ne jemi deputetët e Kuvendit të Kosovës, jemi kryesisht Vetëvendosja dhe koalicioni LAA, ne jemi ata që po kërkojmë ta bëjmë konstitumim e Kuvendit, ta formojmë qeverinë dhe të ecë Kosova përpara. Ju jeni ata që po e bllokoni dhe unë po ju pyes juve kush jeni ju, me çfarë të drejte”, tha ai.

Vazhdimi i seancës konstituive ende nuk dihet se kur do të mbahet meqë kryesuesi i seancës pas përfundimit të vazhdimi të seancës së sotme nuk tregoj se kur do ta ftoj vazhdimin tjetër./kp