Konsumimi i tepërt i ushqimeve të shpejta dhe produkteve të dëmshme për shëndetin ka edhe një ndikim psikik. Sipas një studimit të vogël të bërë së fundmi, ushqimet jo të shëndetshme e rrisin rrezikun e depresionit tek të rinjtë, shkruan Dailymail.
Në studimin e bërë, është vërejtur se të rinjtë, të cilët në analiza të urinës kanë pasur sasi të lartë të sodiumit, substancë kjo që rritet kur konsumoni shumë ushqime të procesuara, ishin më të prekur nga depresioni.
Ekipi nga Universiteti i Alabamës, ka treguar se gjetjet e tyre kanë dëshmuar se ushqyerja e fëmijëve me një dietë të shëndetshme të pasur me fibra dhe proteina është një mënyrë e thjeshtë për të parandaluar simptomat e depresionit.
“Për shkak të rritjes së konsumimit të këtyre ushqimeve jo të shëndetshme është rritur edhe numri i personave, që vuajnë nga depresioni dhe simptomat e ankthit”, tha autori i këtij studimi.
Hamburgerët, mishi i procesuar, patatinat si dhe ushqimet e tjera përmbajnë një sasi të lartë të sodiumit, i cili njihet si substancë që shkakton simptoma të depresionit.
Inkurajimi i të rinjve të konsumojnë ushqime të shëndetshme, që nuk përmbajnë substanca të dëmshme për shëndetin siç janë frutat, perimet si dhe fibrat, është i nevojshëm për të shmangur probleme të tilla tek të rinjtë.
Ky studim është publikuar në revistën shkencore “Physiological Reports” dhe përbën një hap të rëndësishëm në gjetjen e faktorëve që e shkaktojnë depresionin dhe problemet e lidhura me të. /Gazeta Express