Aktuale

Urdhëresë për gërmime edhe në veri të vendit (Video)

Përveç gërmimeve në kampusin Universitar ku dyshohet për varrezë masive të cilat kanë filluar para dy dite, por pa një rezultat për mbetje mortore, ka edhe lokacione të tjera të dyshuara.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, i cili ka thënë se kanë urdhëresë që të gërmohet edhe në disa lokacione në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ndërsa, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve të Kosovës, Bajram Cerkini, është shprehur i pakënaqur pasi 17 vjet pas luftës ende nuk janë përfunduar gërmimet vlerësuese, në lokacionet e dyshuara për varrezë masive.

Deri më tani gjatë gërmimeve në kampusin e Universitetit të Prishtinës, ku dyshohet për varrezë masive ende nuk është gjetur ndonjë mbetje mortore, përderisa ditët në vazhdim pritet të gërmohet edhe pika tjetër prapa rektoratit.

Aktualisht në Kosovë, janë 1665 persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, fati i të cilëve ende nuk dihet.