Aktuale

Ura mbi Ibër, pika më e nxehtë e tensioneve që nga paslufta Mitrovicë

Ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, sinonim i qytetit të ndarë, por me nostalgjinë se një ditë do të bashkohet, u shndërrua në simbol të kronologjisë pothuajse të të gjitha ngjarjeve të errëta në këtë qytet, prej pasluftës e deri më sot.

Këtu protestuan qytetarë, studentë, punëtorë, pensionistë, kundër ndarjes së qytetit, kundër barrikadave, pati tensione ndëretnike, ndërsa nuk munguan as sulmet me armë, duke e shndërruar këtë urë si pikën më të nxehtë në vend.

Shpesh herë zhvillimet politike në vend, madje edhe ngjarjet sportive ku janë përfshirë përfaqësueset e Shqipërisë, Serbisë, ose edhe vendeve mike të shqiptarëve, kanë reflektuar për pak minuta duke shkaktuar ‘termet’ në qytetin e Mitrovicës, ndërsa pika e tensioneve ishte sërish ura mbi Ibër.

Ura, tashmë e famshme për faktin se mbi supet e saj mban mbi 1 mijë incidente të ndryshme përgjatë këtyre 18 viteve, ka ndryshuar pamjen disa herë, ndërsa punimet e fundit rreth saj krijuan konfuzion, paqartësi e tensione tek qytetarët e Kosovës dhe kanë ngjallur mosbesim ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel.Halit Barani, kryetar i KMLDNJ-së në Mitrovicë, kujton 26 qershorit të vitit 1999 kur ushtarët francezë mbyllën urën me gjemborë, duke thënë se ajo nuk u hap më kurrë.

Sipas tij, dikush edhe mund të mendojë se ura është hapur dhe mbyllur herë-herë për qarkullim, por këmbëngulë se ajo është mbyllur në datën e lartpërmendur dhe nuk është hapur më asnjëherë.

Duke bërë një përshkrim të ngjarjeve që nga viti 1999 deri në ditët e sotme të cilat ndodhën tek ura kryesore mbi Ibër, Barani një pjesë të fajit ua hedhë paqeruajtësve ndërkombëtarë, ndërsa revitalizimin e ka quajtur vjedhje parashë dhe krejtësisht të panevojshëm.Ai nuk sheh bashkim të qytetit, duke thënë se kjo çështje tashmë veç ka përfunduar, por një lëvizje më e shprehur e qytetarëve shqiptarë mund të ndodhë, shumë vite më vonë. Analisti nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiq, theksoi se ura kryesore e Ibrit për fat të keq, prej pasluftës ka qenë simbol i ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve.

Sipas tij, gjithçka është zhvilluar në këtë urë, përveç ngjarjeve të mira.Ai potencoi se në Kosovë gjithçka është bërë politikë, duke përfshirë këtu urat, lëvizjen e lirë, por edhe vetë jetën e qytetarëve.

Analisti malazez nga veriu, u shpreh i bindur se politikanët nuk mund t’i bashkojnë serbët dhe shqiptarët, dhe sugjeroi që ata duhet vetë të bashkohen duke kuptuar se e ardhmja e tyre është rruga e paqes, prosperitetit dhe integrimit në bashkëjetesë.Sipas tij, pastaj pason koha e barrikadave të cilat mbinë pothuajse çdo kund në veri të Kosovës, nëpër rrugë, magjistrale dhe në këtë urë. Ai nuk foli për ndërprerjen e punimeve tek ura dhe vazhdimin e tyre, por duke u shprehur skeptik për përurimin e urës në maj, tha se megjithatë një gjë e tillë do të ndodhë pas disa muajsh.

Në anën tjetër, analisti nga jugu i qytetit të Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu, thotë se historia e urës mbi lumin Ibër, është në fakt histori e Kosovës e këtyre 17 viteve.
Ai duke rrëfyer për kronologjinë e ngjarjeve që kanë ndodhur në këtë qytet pas luftës, me theks ato në urën kryesore mbi Ibër, ka potencuar se cinizmi më i madh rreth urës u bë me marrëveshjen e Brukselit.Sipas tij, të gjithë ata që kanë bërë këtë marrëveshje meritojnë epitetin e tradhtarit të kombit.

Spahiu arsyetimin për ndërprerjen e punimeve tek cepi verior i urës nga ana e kryetarit Rakiq, me pretekst të mungesës së sigurisë së qytetarëve atje, e quan absurde dhe banale, ndërsa pranon se qeveria vendore nuk ka autoritet në atë pjesë.Ndërsa, për Qeverinë e Kosovës thotë sa nuk ka autoritet për asgjë.

KosovaPressi ka dërguar pyetjet në adresë të ministrit dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të Zyrës së BE-së, në lidhje me vazhdimin e punimeve mbi urë, si dhe përurimin e këtyre punimeve që ishte paraparë më 9 maj në Ditën e Evropës, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Edhe kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, i cili më 19 prill pati urdhëruar ndërprerjen e punimeve tek ura, ka qenë jo i qasshëm në telefonin e tij për ditë të tëra. /KosovaPress/