Ekonomi

Ulet shkëmbimi tregtar Maqedoni-Kosovë

Rruga Shkup-Prishtinë ka rreth 90 kilometra. Megjithatë, afërsia gjeografike nuk është shndërruar në bashkëpunim serioz ekonomik mes dy vendeve fqinje.

Këmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës për pesë vjet ka shënuar një rënie dramatike, nga gati 600 milionë dollarë në vitin 2011, në 240 milionë vitin e kaluar.

Problemi kryesor, sipas kompanive të vogla në Maqedoni është mungesa e informacioneve dhe kontakteve.
“Për fat të keq nuk kemi bashkëpunim me asnjë kompani nga Kosova.

Praktikisht nuk kemi ndonjë informacion se cilat janë kornizat ligjore të vendeve. Sipas meje, nuk ka mjaft kontakt. Takimet e tilla kontribuojnë në rritjen e numrit të kontakteve dhe bashkëpunimit më tej”, tha Nenad Fidanovski, biznesmen nga Maqedonia.

Biznesmenët shohin mundësi të bashkëpunimit. Fitimi është i rëndësishëm. Përderisa autoritetet kompetente dhe odat ekonomike dështojnë në përpjekjet për të krijuar kushte për bashkëpunim më të madh biznesi mes dy vendeve, misionet e huaja në vend kanë marrë përsipër rolin e tyre.

“Ne u japim një shans kompanive maqedonase të takohen me kompanitë e një tregu tjetër, nga Kosova fqinje, sepse ne besojmë se ka potencial të madh për të mësuar nga kompanitë tjera dhe nga sipërmarrësit e tregjeve tjera dhe të ndërtohet një partneritet me ta”, tha Stefan Tomaçan, Ambasada e Zvicrës në Maqedoni.

Edhe pse disa vjet më parë Kosova u prezantua si partner tregtar me potencial të madh, statistikat janë dështuese.

Në vitin 2016 Maqedonia në Kosovë ka eksportuar mallra dhe shërbime me vlerë gati 190 milionë euro, ndërsa importet arritën në 30 milionë euro.