Aktuale

I ulet buxheti kryeqytetit

Kryeqyteti i Kosovës pritet të ketë buxhet më të vogël vitin e ardhshëm.

Buxheti i Prishtinës, për vitin 2017 pritet të jetë 62 milionë euro, apo 3 milionë euro më pak se për vitin 2016.

Këtë e ka bërë të ditur, drejtori i Financave në këtë komunë, Ismail Kokaj, gjatë një debati publik me qytetarët për buxhetin, raporton KTV.

Nga ky buxhet, 22 milionë planifikohet të shkojnë për investime kapitale. Ndërsa afro 40% e buxhetit do të shkojë për paga dhe mëditje.

Ndërkohë, qytetarët janë shprehur të shqetësuar me buxhetin e vogël, duke thënë se me këtë buxhet vështirë së mund të bëhen ndryshime.

Një pjesë e qytetarëve kanë thënë se e kuptojnë që kjo nuk i takon tërësisht komunës, duke ia hedhur një pjesë të fajit edhe Qeverisë së Kosovës, për vonesën e Ligjit për Prishtinën, që sipas tyre do ndikonte në rritjen e buxhetit.

Disa u shprehën të gatshëm edhe të protestojnë kundër Qeverisë.

Ndërkohë komunarët, thanë se për vitin 2017 kanë shumë projekte.

Në mesin tyre edhe 4 projekte të partneritetit publiko-privat, të cilat sipas drejtorit të Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, priten të realizohen nga mesi i vitit të ardhshëm.