Rajon & Botë

Ukraina shënon rekord të rasteve të koronavirusit për 24 orë

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Ukrainë janë regjistruar 2,495 raste të reja të koronavirusit. Kjo është shifër rekorde për shtetin e Evropës Lindore që nga fillimi i pandemisë.

Një ditë më parë, në Ukrainë u regjistruan 2,481 raste të personave të prekur nga Covid-19, që gjithashtu ishte rekord, por që u thye të mërkurën, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Ukraina ua ka ndaluar hyrjen në vend të huajve nga shumica e vendeve të botës deri më 28 shtator dhe e ka shtyrë afatin e masave kufizuese deri në fund të tetorit për shkak të rritjes së numrit të rasteve në ditët e fundit.

Deri më tani, në Ukrainë janë regjistruar mbi 125,000 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa sëmundjes së re nuk i kanë mbijetuar rreth 2,600 njerëz.

Në fazën e hershme të përhapjes së koronavirusit në Evropë, Ukraina ishte një ndër vendet me më së paku raste të infektimeve për një milion banorë.