KRU ” Prishtina ” sh.a. njofton konsumatorët borxhlinj të fshatit Hajvali, se gjatë ditës së sotme do të shkyçen individualisht nga shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Mbi 1400 shtëpi / konsumatorë të këtij fshati u kanë borxh KRU”Prishtina” sh.a. mbi 1 milion euro, njofton Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
“Me shkyçje do të përballet secili konsumatorë që ka, dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit. Për këtë aksion në fshatin e lartëpërmendur janë të angazhuar 4 ekipe të shkyçjes përfshirë edhe inspektorë. Ata të cilët kanë borxhe ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit do të shkyçen gjatë ditës së sotme, pas shumë vërejtjeve e njoftimeve që u janë bërë më parë”, ka bërë të ditur në një komunikatë për media Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
Gjatë ditës së nesërme do të vazhdohet me shkyçje në fshatin Makovc, Llukar, Bardhosh, Besi, Truda dhe të gjitha fshatrat e tjerë që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Prishtinë.
KRU ”Prishtina” sh.a. është duke i përmirësuar shërbimet për ujësjellës dhe kanalizim, ujë të pijshëm 24 h pa ndërprerë, andaj u bën thirrje të gjithë konsumatorëve , që:
-T’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, në mënyrë që të evitojnë shkyçjen nga shërbimet,
-Të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike, u bëjmë thirrje që të respektojnë në përpikmëri kontratat për riprogramimin e borxhit, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët,
-Duke filluar nga data 1 shkurt 2018, të gjithë konsumatorët që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe nuk iu janë përmbajtur Kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do të iu rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike.
KRU”Prishtina” sh.a. do t’i intensifikon aktivitetet që borxhet e prapambetura të arkëtohen përmes përmbaruesve privat. /Lajmi.net/