Rajon & Botë

Udhëheqësi opozitar në Rusi shpallet fajtor për përvetësim

Udhëheqësi opozitar në Rusi Alexei Navalny, është shpallur fajtor për përvetësim, njoftojnë mediat lokale.

Gjyqtari në qytetin e Kirov, ende nuk e kishte lexuar vendimin përfundimtar, por agjencitë e lajmeve thanë se ishte e qartë se Navalny është dënuar.

Edhe dënimi me kusht do të pengonte kritikat e hapura ndaj presidentit Vladimir Putin.

Navalny i ka mohuar akuzat, duke thënë se rasti është i motivuar politikisht.

Prokurorët kishin kërkuar nga trupi gjykues që Navalny të dënohet të paktën me pesë vjet dënim me kusht.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut urdhëroi një rigjykim, pasi ka vlerësuar se në gjykimi i parë në vitin 2013 nuk ishte i drejt.

Navalny 40 vjeçar është i njohur për fushatën e tij kundër korrupsionit, i cili në shënjestër kishte zyrtarët e lartë të Kremlinit.

Ai thotë se rasti ndaj tij është një përpjekje për të mbajtur atë jashtë politikës.

Së fundmi ai kishte njoftuar se e kishte në plan të kandidojë për president në zgjedhjet e vitit 2018.

Kushtetuta i mundëson Vladimir Putinit të kandidojë edhe për një mandat të dytë prej 6 vjetësh. Megjithatë, Putin nuk e ka bërë të ditur ende nëse e ka në plan të kandidojë, transmeton KosovaPress.

Në gjykimin e parë, në vitin 2013, Navalny u gjet fajtor nën akuzën se kishte përfituar bashkë me një grup 16 milionë euro nga kompania shtetërore e drurit në Kirovles, në kohën kur ushtronte funksionin e këshilltarët të guvernatorit Kirov, Nikita Belykh.