Aktuale

U raportua se Burundi ka tërhequr njohjen, kjo është përgjigja e MPJ-së!

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Republika e Burundit, që do të mund të konsiderohej në kundërshtim me Notën Verbale për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Republikës së Burundit më datën 16 tetor 2012.

Në një deklaratë për media kjo ministri ripërsërit qëndrimin se E Drejta Ndërkombëtare nuk e njeh aktin politik të të ashtuquajturës “tërheqje të njohjes”, andaj çdo raportim dhe deklarim përkitazi me këtë çështje duhet të shikohet nga këndvështrimi i politikave dhe veprimeve nga ana e Serbisë në raport me Kosovën.

MPJ shpreh qëndrimin se raportimet dhe deklaratat e tilla janë vazhdimësi e politikës së Serbisë me mjete të betejës hibride, që përfshijnë lajme të rreme dhe krijimin e narracioneve të paqena, të cilat qëllim parësor kanë minimin e forcimit të subjektivitetit dhe integrimit ndërkombëtar të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se rasti me shtetin e Guinea-Bissau ishte dëshmia më e mirë e dekonspirimit të propagandës dhe synimeve serbe për manipulim me emra shtetesh dhe falsifikim vulash zyrtare.Ndryshe, mediat dhe autoritetet e Beogradit zyrtar kanë njoftuar për kinse tërheqje të njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Republika e Burundit.