Aktuale

U mbajt seanca dëgjimore ndaj 36 policëve të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës e cila operon në Vushtrri është mbajtur sot seanca dëgjimore në lidhje me caktimin e masës së paraburgimit ndaj 36 policëve të arrestuar para dy ditësh, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Avokati i njërit nga policët e arrestuar, Musa Damati, tha se Prokuroria nuk ka arritur të elaborojë bazën e mjaftueshme për caktimin e paraburgimit ndaj klientit të tij.

Sipas tij, korrupsioni duhet të luftohet nga strukturat më të larta dhe jo të viktimizohen nëpunësit e tillë, në emër të luftimit të korrupsionit në Kosovë.

 

“Mbrojtja konsideron në rastin konkret se oficerët e policisë janë viktimë për shkak se korrupsioni duhet të luftohet nga strukturat më të larta shtetërore dhe jo të viktimizohen nëpunësit e tillë nën ombrellën e asaj se po luftohet korrupsioni në Republikën e Kosovës…Çdo rast penal ka specifikat e veta dhe në rastin konkret si mbrojtës në bazë të asaj se çka na është ofruar nga ana e Prokurorisë së shtetit, konsideroj se Prokuroria nuk ka arritur që ta elaboroj bazën e mjaftueshme për caktimin e paraburgimit në këtë rast penal ndaj klientit tim”, ka thënë Damati.

Seanca është duke vazhduar edhe gjatë kohës kur po raportojmë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ajo të zgjasë deri në orët e vona të natës. Ndryshe, nga gjithsej 36 policë të dyshuar, 21 janë nga stacioni i Zveçanit dhe 15 nga stacioni i jugut të Mitrovicës. /KP